EMRAT/ Zbardhet votimi, Meta siguroi shumicën në Kushtetuese, 6 pro tij, kush doli kundër

schedule14:28 - 17 Shkurt, 2022

schedule 14:28 - 17 Shkurt, 2022

Nga Erneta Shevroja

Edhe tentativa e dytë e Parlamentit dështoi. Gjykata Kushtetuese vendosi që Presidenti Ilir Meta të vijojë detyrën deri në fund të mandatit, duke rrëzuar Parlamentin që dy herë nisi procedurat për ta shkarkuar, në dy vitet e fundit.

Kanë qenë 6 gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese që akuzat ndaj Ilir Metës për përfshirje në fushatë zgjedhore, cënimi i sigurisë publike dhe cënim të marrëdhënieve më ndërkombëtarët, nuk i kanë vlerësuar shkelje të rënda Kushtetutës.

“Nuk ka shkelje të rëndë të nenit 88, pika 3, të Kushtetutës, pasi:

– Faktet që lidhen me të drejtat në procesin zgjedhor nuk përbëjnë shkelje të rënda të Kushtetutës.

– Faktet që lidhen me marrëdhëniet me partnerët strategjikë nuk përbëjnë shkelje të Kushtetutës.

– Faktet e paraqitura si shkelje që lidhen me pavarësinë e organeve publike nuk përbëjnë shkelje të Kushtetutës.

– Faktet e paraqitura si shkelje të rendit dhe sigurisë publike nuk përbëjnë shkelje të Kushtetutës.

Sipas burimeve të ABC kundër shkarkimit të Metës ka qenë kryetarja e Kushetueses, Vitore Tusha, Marsida Xhaferllari, Përparim Kalo, Sonila Bejtja. Kundër është rreshtuar dhe gjyqtarja Fiona Papajorgji, kundër së cilës Meta ka kërkuar procedim disiplinor. Ka qenë vetëm gjyqtari Altin Binaj që shkeljet i ka konsideruar të rënda.

Diskutime megjithatë ka pasur mes gjyqtarëve lidhur me procedurat që ka ndjekur Kuvendi për ta shkarkuar. Presidenca ka nisur dhe një padi për Kuvendin, që e ka akuzuar për falsifikim të dokumenteve zyrtare, e për pasojë e quante të gjithë procesin të paligjshëm.

Burime të ABC kanë bërë me dije se kanë qenë 2 gjyqtarë të cilët duke theksuar që për shkak të shkeljeve të Kuvendit, gjykimi ndaj Ilir Metës nuk duhet të vijonte. Kundër këtij qëndrimi janë pozicionuar 5 gjyqtarë, duke bërë që çështja të vijonte dhe në përfundim të gjykimit.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!