EMRAT/ Të dënuar për krime të rënda, OFL çon formularët në Shkodër dhe Tepelenë

schedule10:29 - 17 Qershor, 2020

schedule 10:29 - 17 Qershor, 2020

Operacioni Forca e Ligjit ka dërguar formularin për deklarimin  e pasurisë për 5 persona, 4 në Shkodër dhe 1 në qytetin e Tepelenës.

Ata janë: Sokol Tavasja, Ismet Idrizi, Sokol Xhani, Gjeto Pepaj, Astrit Pata.

Njoftimi i Policisë:

OFL, 17 qershor

Në zbatim të detyrave të përcaktuara në Aktin Normativ të datës 31 janar 2020, vijon pa ndërprerë Operacioni Forca e Ligjit.

Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve:

S. T., banues në Shkodër, i dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë Shkodër, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve dhe nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Armëmbajtja pa leje”;

I. I., banues në Shkodër, nën hetim nga Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”;

S. Xh., banues në Shkodër, i dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë Shkodër, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Armëmbajtja pa leje” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”;

Gj. P., banues në Shkodër, i dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë Shkodër, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve, e kryer në bashkëpunim”;

A. P., banues në Tepelenë, i dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, për veprën penale “Trafikimi i femrave”.

Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.

OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special.

OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë.