Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë ka dërguar në gjyq shtetasit Hazir Maci, Lejla Maci, Cerkez Nikoci, Ardjan Pirani, Alfred Maci dhe Endrit Nezaj, të akuzuar për veprat penale “Falsifikim i letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave”, “Falsifikim i dokumentit” dhe “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.
Sipas hetimeve të kryera, grupi kriminal dyshohet se ka organizuar kontrabandimin e shtetasve shqiptarë drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kanadasë, përmes një itinerari që përfshinte Shqipërinë, disa vende të Europës, Republikën Domenikane dhe më pas kalimin me dokumente të falsifikuara drejt Amerikës së Veriut.
Prokuroria bën me dije se organizatori i dyshuar i kësaj veprimtarie kriminale është shtetasi H.M., i njohur edhe me identitetin A.M., i cili më parë është hetuar për të njëjtën veprimtari. Ai u kërkonte shtetasve shqiptarë pagesa deri në 35 mijë dollarë për person, duke përdorur dokumente udhëtimi të falsifikuara për kalimin përmes Porto Rikos drejt Floridës apo shteteve të tjera të SHBA-së, ose drejt Kanadasë.
Hetimet janë zhvilluar në bashkëpunim me Departamentin e Policisë Kriminale të Policisë së Shtetit dhe Shërbimin Diplomatik – Zyra për Hetimet Kriminale jashtë SHBA-së.


