Emrat e trafikantëve me 400 kg kokainë, Artan Hoxha: Ishte si kristali, destinacion Gjermania

schedule21:58 - 17 Maj, 2021

schedule 21:58 - 17 Maj, 2021

Mediat në Prishtinë kanë publikuar emrat e tre prej shtatë të arrestuarve sot në Kosovë në operacionin e sekuestrimit të 400 kg kokainë në Lipjan.

Të arrestuarit janë Izet Sheqiri (lexo këtu për ortakun në Shqipëri), Enver Belegu dhe Bajram Maliqi, shkruan Indeksonline. Gazetari Artan Hoxha ka folur për rastin e sekuestrimit të sasisë së madhe të drogës në Lipjan, 400 kg duke theksuar se kokaina është e pastër si kristali.

“Kjo drogë e kalon pastërtinë e 92%, që është ndër pastërtitë më të mëdha të kokainës. Nuk do të ishte e mundur që ajo sasi të hidhej në treg ashtu. Pra nëse janë konfiskuar 400 kg kokainë të tillë, në treg do të hidhej trefishi i saj.

Kjo pastërti e kokainës i lejon trafikantët ta zbusin drogën dhe ta bëjnë të absorbueshme për klientët, pasi pastërtia aq e madhe rrezikon jetën e përdoruesve të saj.

“Për fat të keq tashmë është provuar se territori i Kosovës po kthehet në një bazë operacionale të grupeve kriminale që merren me narkotrafikun” tha ai në “Debat Plus”.

Hoxha thotë se kjo sasi e drogës nuk ishte e destinuar për tregun e  Kosovës e as për atë të Shqipërisë. Ai dyshon se droga ishte destinuar për tregun gjerman pasi sipas tij atje ka grupe nga Kosova që merren me trafikimin e drogës. “Kjo drogë ishte destinuar për treguan e pasur të Bashkimit Evropian”.

Hoxha thotë se dyshimet i ka pasur që droga do të dërgohej në Ferizaj pasi sipas tij ky vend është pikë strategjike ky kryqëzohen shumë rrugë të Kosovës.

“Që nga paketimi në Brazil, droga ishte destinuar për organizata të ndryshme. Është në praktikën e organizatave kriminale që në fillim ata testojnë sasi shumë më të ulëta të drogës.

Pra në fillim ata kanë testuar sasi më të vogla, më pas kanë shkuar në sasi pak më të mëdha, për të ardhur deri te ajo që është konfiskuara sot. Trafikantët kanë fituar siguri se ky shteg është sigurt” shprehet Artan Hoxha./ db/ Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!