Emocione të mëdha në Kupën e Ligës së Angli. Një nga pretendentët kryesorë, Mançester Junajtid pësoi një disfatë të papritur.
Po bëheshin gati ta zhduknin si kompeticion.
Kupa e Ligës angleze dukej e dënuar me vdekje për shkak se shumë ekipe të mëdhenj e nënvleftësonin, veçse dha një goditje që shkaktoi emocione të mëdha.
Mançester Junajtid, një nga klubet më të mëdhenj në Angli dhe në Europë, u eleminua në mënyrë dramatike në minutën e fundit, në fushën e një ekipi inferior.
Fitues doli Bristol Siti i kategorisë së dytë, dhe pikërisht në minutën e tretë dhe përmbyllëse shtesë, me golin e shënuar nga një lojtar që do të mbetet i njohur, Korei Smith.
Bristol Siti modest i shkaktoi disfatë skuadrës së Zhoze Murinjos, skuadrës së klubit me të ardhurat më të mëdha të botës në futboll, prej gati 800 milionë dollarësh në vit.
Xho Brajan kaloi vendasit në epërsi në fillim të pjesës së dytë, por Zllatan Ibrahimoviç barazoi pak minuta më vonë.
Gjithsesi, prania në fushë e gjigandit suedez me shiritin e kapitenit në krah, dhe po ashtu e Pol Pogbasë nuk e shpëtuan Junajtidin.
Murinjo, natyrisht, nuk donte që të eleminohej kaq shpejt në Kupën e Ligës, trofe që vjet e fitoi duke qenë shumë krenar.
Aq më shumë, një disfatë e tillë nuk duhej aspak, vetëm pak ditë pas humbjes së derbit e Premier Ligës me Mançester Sitin në “Old Traford”, humbje që e la 11 pikë prapa rivalit të tij të madh, Pep Guardiola.
Gjithsesi, kupat e futbollit në Angli kanë gjithnjë emocione, edhe pse shumica e skuadrave të mëdha u kualifikuan.
Këtë e bëri edhe Çelsi që mundi 2-1 Bornmuthin në “Stemford Brixh”, ndërsa një ditë më parë ia dolën Mançester Siti dhe Arsenali./abcnews.al