U mbajt ditën e sotme mbrëmja gala e emisionit “E ardhmja është vajzë”. Pas disa puntatash me plot emocione, lot dhe rrëfime prekëse, autorja dhe moderatorja e emisionit, Ermira Çausholli mblodhi në ambientet e Equos Resort, gratë dhe vajzat që morën pjesë në sezonin e parë në emision, por jo vetëm.
Mbrëmja u shoqërua me muzikë dhe mesazhe nga vajzat që ishin të pranishme. Vëllerëzit korçarë, Endri dhe Stefi e nisën këtë natë gala me një nga këngët e tyre më të njohura. Të ftuarat u ngjitën në skenë për të përcjellë disa mesazhe të fuqishme për pjesën më të bukur të shoqërisë.
Ndër ta ishte deputetja Blerina Gjylameti e cila bëri thirrje për më shumë respekt dhe barazi mes gjinisë femërore dhe mashkullore. Gjithashtu mjekja në “Spitalin Amerikan” Albana Daka dhe mesazhin e saj. Rei Bezhani, Era Rusi dhe Armaldo Kllogjeri u ngjitën në skenë dhe dhuruan spektakël përpara të ftuarve.
“Vajzat futen në sfidat personale dhe profesionale pa zhurmë dhe janë rezultatet ata që e bëjnë zhurmën e vet. Unë mendoj se të gjitha jemi pjesë e sfidave, dhe rezultatet tona e bëjnë gjënë e vet. Unë jam pjesë e sistemit shëndetësor dhe strukturës më të madhe në shëndetësinë private. Skuadra jonë është e përbërë nga një grup shumë i madh që shumica janë vajza.“, tha Daka.
Nuk munguan as disa fjalë nga gazetaret e Abc-së, Ema Shazivari dhe Xhensila Kodra. “Të gjitha vajzave dhe femrave do t’ju thoja të jenë vetvetja, të kenë kurajo sepse me kurajo arrihet gjithçka. Përshëndes jo vetëm gratë dhe vajzat që kam këtu para meje por dhe të gjitha vajzat e redaksisë së ABC dhe ABC ëeb.”, tha Xhensila.
Kiara Tito dhe Liesa Haxhiasllani, të cilat janë bërë prej kohësh pjesë e ABC-së përcollën mesazhin e tyre. “Çdo vajzë që na ndjek është e veçantë në mënyrën e vet, fantastike në mënyrën e vet dhe vajzat kur bëhen bashkë mund të arrijnë gjëra vërtetë të bukura dhe të pandalshme.”, tha Liesa. /abcnews.al