Emisari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin ka deklaruar sot në Mitrovicë se nuk do të lejojnë që marrëveshja e Ohrit të hidhet poshtë shkaku i një “budallallëku”.
Ai ka thënë se me qasjen e djeshme Kosova nuk mund t’i afrohet BE-së.
“Mesazhi im për sot është që ne nuk do të lejojmë që marrëveshja e Ohrit që ofron mundësi, të hidhen poshtë për shkak të një budallallëku. E kuptoj se për shumë njerëz në Republikën e Kosovës, deklaratat për marrëveshjen e Ohrit e ardhura nga Beogradi janë të papranueshme dhe vështirë të kuptueshme. Por, çdo politikan në këtë vend dhe rajon ka përgjegjësi për veprimet e veta dhe natyrisht se ndjenja e ndonjërit prej tyre është se gjërat nuk po shkojnë si duhet, nuk mund të merren vendime të pamatura”, ka thënë Sarrazin.
Emisari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin po qëndron sot për vizitë në Kosovë. Ai sot është takuar me me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin dhe me komandantin e KFOR-it, Angelo Mikele Ristuccia për të diskutuar lidhur me zhvillimet e fundit në Kosovë.
Ndryshe, pesë policë janë lënduar dhe katër automjete janë dëmtuar dje (26 maj) nga incidentet në veri të Kosovës. Kështu ka bërë të ditur Policia e Kosovës, duke theksuar se një prej veturave është djegur.
Me qëllim të pengimit të hyrjes së kryetarëve në objektet komunale, disa qytetarë janë mbledhur para ndërtesave komunale në veri të vendit. Përveç personave të angazhuar dhe automjeteve të tyre të vendosura në afërsi dhe pranë objekteve komunale, në komunat veriore janë lëshuar edhe alarmet, të cilat përdoren nga strukturat kriminale për mobilizim dhe tubime.
Ndërkohë, ndërkombëtarët kanë dënuar veprimet e Qeverisë Kosovës, duke kërkuar që të ulen tensionet.
Kryetari i Zveçanit, ai i Leposaviqit dhe kryetari i Zubin Potokut, të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit, kanë kryer betimin të enjten (25 maj). Asnjëri prej tyre nuk është betuar në objektin e komunës përkatëse, përveç kryetarit të veriut të Mitrovicës.
Zgjedhjet në veri janë bojkotuar nga partia më e madhe e serbëve në Kosovë, Lista Serbe, me mbështetjen e Beogradit zyrtar.
Kryetarët paraprakë nga kjo parti, kanë dhënë dorëheqje nëntorin e vitit të kaluar. Ata janë larguar nga institucionet në shenjë pakënaqësie me vendimin e Qeverisë së Kosovës që ka obliguar qytetarët t’i kthejnë targat e veturave nga ilegale në ato të Republikës së Kosovës.
/KosovaPress/