Emigrantët, Trump: Arritëm marrëveshje me Meksikën

schedule20:16 - 25 Nëntor, 2018

schedule 20:16 - 25 Nëntor, 2018

Presidenti amerikan njoftoi në Twitter se arriti një marrëveshje me Meksikën për të mos lejuar emigrantët të hyjnë në SHBA. Megjithatë ky pretendim i Trump është përgënjeshtruar nga qeveria e re meksikane.

Donald Trump konfirmoi në Twitter se ka arritur marrëveshje me Meksikën lidhur me emigrantët që kërkojnë azil në Shtetet e Bashkuara.

“Emigrantët në kufirin jugor nuk do të lejohen në Shtetet e Bashkuara deri sa kërkesat e tyre të miratohen individualisht në gjykatë”, shkruan presidenti amerikan duke nënvizuar se do të merren në konsideratë vetëm ata që hyjnë ligjërisht në SHBA.

“Në pritje të përgjigjes së kërkesës të gjithë do të qëndrojnë në Meksikë”, konfirmon Trump: “Nëse për ndonjë arsye do të jetë e nevojshme, do të mbyllim kufirin në jug. Nuk ka asnjë mënyrë që Shtetet e Bashkuara, pas dekadave të abuzimit, të lejojnë këtë situatë të kushtueshme dhe të rrezikshme!”.

Por nga ana tjetër, qeveria meksikane që pritet të marrë detyrën përgënjeshtron arritjen e marrëveshjes me SHBA-të për të lejuar azilkërkuesit të qëndrojnë në pritje në Meksikë, ndërsa kërkesa e tyre të shqyrtohet nga autoritetet amerikane.

“Nuk ka asnjë akord mes qeverisë meksikane dhe asaj amerikane”, konfirmon në një deklaratë ministrja e ardhshme e brendshme, Olga Sanchez.

Ndërkohë, më herët, Uashington Post raportoi se administrata e presidentit Andres Manuel Lopez Obrador, pranoi që emigrantët të qëndronin në territorin meksikan si pjesë e një zgjidhjeje të përkohëshme. Por siç duket nuk është arritur asgjë mes dy qeverive. Lopez Obrador do të marrë zyrtarisht drejtimin e vendit me 1 Dhjetor./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!