Emigrantët sollën në shtëpi rekord të ardhurash/ Prurjet e tyre arritën 667 milionë euro gjatë 9-mujorit

schedule14:07 - 14 Dhjetor, 2023

schedule 14:07 - 14 Dhjetor, 2023

Emigrantët shqiptarë vijojnë të mbeten një burim i rëndësishëm të ardhurash për familjet e tyre. Prurjet kanë arritur nivelin më të lartë në 15 vite edhe pse kriza inflacioniste e cila ka sjellë një shtrenjtim të fortë të kostove të jetesës ka përfshirë shumë vende.Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se prurjet valutore të emigrantëve, shënuan rreth 233 milionë euro, në rritje vjetore 8% gjatë periudhës korrik-shtator.

Gjatë periudhës është vërejtur rritje jo vetëm e kanaleve formale siç është sistemi bankar, por edhe e prurjeve në cash. Kjo si pasojë edhe e ardhjes së emigrantëve në Shqipëri për pushime gjatë verës. Ndërkohë në 9 muaj vlera totale ka arritur 677 milionë euro ose 58 milionë euro më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

Remitancat janë të rëndësishme pasi mbi 26 % e familjeve në vend e kanë si burim të ardhurash. Kriza e çmimeve në eurozonë duket se nuk ka ndikuar në dërgesat e emigrantëve shqiptare, pas uljes së tyre gjatë periudhës së pandemisë, kryesisht nga Italia dhe Greqia.

Shtimi i të ardhurave nga emigrantët po ndodh në një kohë që euro është dobësuar ndjeshëm ndaj lekut shqiptar. Banka e Shqipërisë ka argumentuar se një ndër arsyet e forcimit të monedhës kombëtare është edhe rritja e remitancave dhe investimeve të huaja duke ndikuar direkt në fluksin e eurove në treg tonë.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!