Emigrantët rumunë kthehen në atdhe

schedule22:00 - 10 Gusht, 2018

schedule 22:00 - 10 Gusht, 2018

Diaspora rumune në Europë është mbledhur të premten në Bukuresht për të protestuar kundër korrupsionit qeveritar. Me parullën “Qeveri Hajdute”, ata kanë kërkuar largimin e ekzekutivit që sipas tyre ka varfëruar vendin.

Disa mijëra emigrantë rumunë janë mbledhur të premten në Bukuresht, për t’iu bashkuar protestës masive kundër korrupsionit. Manifestuesit kanë akuzuar partinë Social-demokrate në pushtet se po përpiqet të dobësojë sistemin gjyqësor me qëllim që t’u shpëtojë hetimeve. Rreth 7 mijë vetë kanë mbajtur në duar flamurin rumun dhe atë të Bashkimit Europian dhe kanë kërkuar dorëheqjen e ekzekutivit, të cilin e kanë etiketuar si bandë hajdutësh. Të mbledhur përpara selisë së qeverisë, disa prej tyre janë përleshur me policinë kur janë përpjekur të tejkalojnë një kordon agjentësh të vendosur për të mbrojtur godinën.

Manifestuesit kanë hedhur shishe dhe objekte të tjera ndaj agjentëve, të cilët janë përgjigjur me gaz lotësjellës. Persona nga të dyja palët kanë mbetur të plagosur dhe kanë kërkuar ndihmë mjekësore. Rreth 3.5 milionë rumunë, thuajse çereku i popullsisë vendase, jetojnë dhe punojnë në mërgim dhe vitin e kaluar dërguan në atdhe rreth 5 miliardë euro të ardhura. Protestat përpara selisë së qeverisë në Bukuresht kanë qenë të shpeshta që prej vitit 2017, kur partia Social-demokrate mori pushtetin. Menjëherë ekzekutivi i ri filloi dekriminalizimin e shumë çështjeve të lidhura me korrupsionin në nivele të larta dhe vetëm pak muaj më parë shkarkoi kryeprokuroren e njësisë së posaçme. Kjo lëvizje e qeverisë shkaktoi shqetësim tek Bashkimi Europian, që e ka mbajtur gjyqësorin rumun nën mbikëqyrje që nga anëtarësimi i vendit në vitin 2007./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!