Kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni ka thirrur një takim ditën e hënë, për të diskutuar hapat e radhës për zbatimin e marrëveshjes për emigrantët me Shqipërinë.
Sipas saj Gjykata e Lartë e kasacionit në Itali, i ka dhënë të drejtë qeverisë për të përcaktuar se cilat janë apo jo vende të sigurta të origjinës për emigrantët.
“Kam thirrur një takim për nesër për temën e Shqipërisë për të kuptuar se si do të veprohet. Më duket se Gjykata e Kasacionit ka rënë dakord me qeverinë, është e drejta e qeverive të përcaktojnë se cilat vende janë të sigurta, ndërsa gjyqtarët mund të hyjnë në çështjen individuale dhe mos të marrin vendime përgjithësuese”- u shpreh Meloni.
Për Melonin migrimi i parregullt është një kërcënim për sigurinë e Bashkimit Europian dhe blloku duhet të mbrojë kufijtë e tij.
“Italia ishte e para që bëri një marrëveshje me një vend jo anëtar të BE-së, ne kemi disa probleme në interpretimin e rregullave, por ne po i kapërcejmë, mendoj se është një mënyrë e re e trajtimit të këtij problemi”.
Sipas kryeministres italiane rreziku vjen nga organizatat kriminale, por edhe nga Rusia.
Disa vende anëtare të BE-së, përfshirë Finlandën dhe Estoninë, akuzojnë Rusinë se i lejon migrantët e parregullt nga Lindja e Mesme dhe gjetkë që të hyjnë në vendet e BE-së përmes Rusisë pa kontrolle të duhura, duke vënë në rrezik sigurinë e bllokut. / abcnews.al