Në Stacionin Kufitar të Kakavijës, në këto ditë të festës së Pashkës vazhdon fluksi i lartë i lëvizjes në të dyja anët e kufirit me Greqinë.
Sipas Policisë Kufitare, gjatë 24-orëve të fundit në Kakavijë janë përpunuar 10076 shtetas në hyrje-dalje, nga të cilët 6838 në hyrje dhe 3238 në dalje, si dhe 3358 mjete në hyrje – dalje, nga të cilat 2411 në hyrje dhe 947 në dalje.
Dogana shqiptare punon me 4 sportele në hyrje dhe 2 në dalje ndërsa pala greke numëron 3 sportele në hyrje dhe 3 në dalje. Aplikimi i ri i regjimit të kontrollit për hyrjen në zonën Shengen ka zgjatur kohën e pritjes në sportelet e doganës greke të Kakavijës.


