Kancelarja Angela Merkel ka pranuar afatet e vendosura nga aleatët qeverisës për zgjidhjen e krizës së emigracionit, duke shmangur kështu krizën qeverisëse. Ndërkohë, ajo ka pritur në një takim kryeministrin e Italisë, të cilit i ka ofruar mbështetjen e Gjermanisë në menaxhimin e çështjes.
Kancelarja Angela Merkel ka pranuar afatin e vendosur nga aleatët e koalicionit qeverisës në lidhje me çështjen e emigracionit, duke shmangur rrezikun e një krize qeveritare. Ministri i Brendshëm, Horst Seehofer i dha kohë kancelares deri në fund të qershorit për të gjetur një zgjidhje europiane, ndryshe do të zbatojë masterplanin e tij.
Vendimin e saj, Merkel e ka bërë në një konferencë për shtyp me kryeministrin e Italisë, Giuseppe Conte, në Berlin. Nga ana e tij, Conte ka nënvizuar se kriza e emigrantëve kërkon një zgjidhje në nivel europian dhe jo nisma individuale që vënë në rrezik ekzistencën e zonës Schengen.
Conte ka deklaruar se BE duhet t’i zgjidhë problemet e emigracionit në vendet e origjinës dhe të tranzitit, në mënyrë që të shmanget trafikimi i qënieve njerëzore dhe udhëtimet e rrezikshme që ato ndërmarrin. Duke iu përgjigjur kërkesës, Merkel është shprehur e gatshme të ndihmojë Italinë.
“Solidariteti i Europës është diçka që Gjermania e pret me krahë hapur”, ka thënë Merkel.
Kancelarja ka vlerësuar faktin se Italia është një nga vendet që pranon dhe ka pranuar shumë emigrantë, ndaj bashkëpunimi i ngushtë është i domosdoshëm.
“Edhe Gjermania është prekur në mënyrë direkte nga emigracioni, ndaj është në interesin e të gjithëve të bashkojmë forcat”, ka shtuar Merkel.
Në debat është përfshirë edhe presidenti Donald Trump, i cili ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara nuk do të kthehen në kamp refugjatësh siç është kthyer Europa. Trump ka komentuar rastin e Gjermanisë, duke thënë se popullsia është ngritur kundër liderëve të saj për shkak se emigracioni ka dalë jashtë kontrollit./abcnews.al

