Sot zhvillohet samiti i shumëpritur mes kancelares gjermane Angela Merkel dhe presidentit francez, Emmanuel Macron. Dy liderët do të diskutojnë për një sërë çështjesh me rëndësi, përfshirë reformimin e Unionit dhe krizën me emigrantët.
Pas disa muajsh ngecje në tratativat e qeverisë, në mes të një krize të re politike të brendshme në koalicion, Angela Merkel pret sot Emmanuel Macron në Meseberg, në afërsi të Berlinit. I shoqëruar me një delegacion ministrash, presidenti francez mbërrin në Gjermani për një samit dypalësh në të cilin duhet të njoftohet harta e rrugës franko-gjermane në kuadrin e Këshillit Evropian në fund të muajit. Çështja e emigracionit monopolizon vëmendjen, me vështirësinë për qeveritë që të ofrojnë përgjigje të menjëhershme për emergjencën e re. Të dy liderët do të mbështesin idenë e forcimit të Frontex, me krijimin e rojeve bregdetare për të patrulluar kufijtë e BE-së dhe propozimin e qendrave të kontrollit për azilkërkuesit në vendet e tranzitit.
Por ajo që ka pushtuar për javë vëmendjen është dëshira për të ideuar një reformë të eurozonës. Një kompromis mbi dobësitë, por mbi të gjitha një kompromis. Kjo është ajo që shpreson Macron. Nga krijimi i një ministri të përbashkët financiar – e kërkuar fort nga Macron – askush nuk flet më.
Franca ende synon të marrë dritën e gjelbër për një buxhet të përbashkët të 19 vendeve që ndajnë monedhën e përbashkët me objektivat e “stabilizimit dhe konvergjencës ekonomike”. Buxheti i ri i eurozonës duhet të lirohet nga fondet e ndryshme të BE-së dhe të jetë në gjendje të ketë burimet e veta falë kontributeve nga vendet anëtare individuale. Në afat të mesëm, sipas propozimit francez, do të nxitet edhe nga të ardhurat nga masat e caktuara fiskale të “sovranitetit evropian”. /abcnews.al