Janë zbardhur debatet në mbledhjen e sotme të Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike. Mësohet se teksa propozoheshin emrat e anëtarëve të rinj në Kryesi, ka pasur një debat mes Lulzim Bashës, Ervin Salianjit dhe të tjerëve.
Gazetari i ABC, Juxhin Mustafaraj bën të ditur se kreu i PD-së Lulzim Basha ka propozuar, që emrat të kalojnë me konfirmim nga Këshilli por Salianji propozoi që të kishte votim me kandidatura alternative.
“Duhet të kthejmë garën dhe votën, meritokracia në themel të PD. Ky është Këshilli i parë pas Kuvendit të datës 18 Dhjetor, u pa qartë që foltorja nuk arriti qëllimin për të deligjitimuar asnjë institucion të PD. Po ashtu herën e kaluar në këtë Këshill u votua me votim të hapur dhe nuk kishte asnjë kontestim dhe rrethanat e reja. Por këto rrethana dhe pritshmëria e demokratëve dhe shqiptarëve tashmë nga ne është shumë më e madhe. Kështu disa problematika të ngritura janë shqetësime për demokratët, dhe duke qenë se kjo mbledhje është mbledhja e parë pasi Kuvendi Kombëtar i datës 18 Dhjetor zgjodhi të ardhmen duke u ndarë nga çdo praktikë e keqe e së shkuarës në radhë të parë. Personalisht kam bërë dhe do bëj betejë për demokratët, e mendoj që gara është themeli se si mund të përmirësohet shtëpia jonë PD. Duke qenë se jam i zgjedhur vetë anëtar kryesie dhe nuk kam ambicie të tjera, propozoj që të kemi votim të fshehtë dhe të propozoni alternativa të tjera për pozicionet.” tha Salianji.
I të njëjtit mendim me Ervin Salianjin ka qenë edhe Roland Bejko.
“Unë jam dakord që të kemi votim dhe të kenë kandidatura alternative sepse do të kishin më shumë legjitimitet” tha Bejko.
Basha: Diskutim tjetër kundër…ka?
Jemin Gjana: Kjo është e njëjta trupë që ka qenë dhe herën e kaluar, jam dakord me propozimin e Salianjit dhe Bejkos që të paktën nga hera tjetër të procedojmë në këtë mënyre por sot kjo trupë duhet të votojë siç ka votuar herën e kaluar dhe të themi të vërtetën që në këtë parti kështu janë zgjedhur përherë mos bëjmë sikur nuk kemi qenë këtu.
Gaz Bardhi: Propozimi i kryetarit është ky dhe nëse ka propozime alternative të mblidhen nga firmat e 1/4 të anëtarëve të Kuvendit.
Ndërkohë pas propozimeve të Bashës, Këshilli miratoi emrat si më poshtë:
Kryetar i Këshillit Kombëtar: Arta Sakja
Sekretar Organizativ: Flamur Hoxha
Sekretar Ligjor dhe Zgjedhor Indrit Sefa
Sekretar për Pushtetin Vendor dhe Decentralizimin: Roland Bejko
Sekretar për Emigracionin dhe Diasporën: Kreshnik Collaku
Lista vijuese e Kryesisë, sipas rendit alfabetik:
Agron Kapllanaj
Gazment Koduzi
Helidon Bushati
Xhelal Mziu
Xhemal Gjunkshi
Anëtarë të Komisionit të Apelit, Etikës dhe Disiplinës , Kryetare Flutura Ackaj
Anëtarë:
Dash Sula
Orjola Pampuri
Xhemal Bushati
Arbi Agalliu
Komisioni për Hartimin e Rregullores së Këshillit Kombëtar:
Kryetari i Këshillit Kombëtar, Arta Sakja
Sekretari Organizativ, Flamur Hoxha
Sekretari për Cështje Ligjore dhe Elektorale, Indrit Sefa
/abcnews.al/