Emërime të reja në Policinë e Shtetit

schedule12:15 - 4 Janar, 2019

schedule 12:15 - 4 Janar, 2019

Një ndër emrat më të njohur të Policisë së Shtetit, Tonin Vocaj, është rikthyer në një ndër detyrat më të larta brenda radhëve të uniformave blu. Oficeri i lartë i karrierës, i cili prej gati 30 vitesh mban uniformën e Policisë së Shtetit, do të jetë në krye të Policisë Kriminale.  Zëvendësministri i Brendshëm, Besfort Lamallari dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, gjatë një takimi me drejtuesit qendrorë të Policisë së Shtetit, kanë bërë të njohur dy urdhra të Ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj.

Në bazë të urdhrave të mësipërm, Drejtues i Lartë Tonin Vocaj emërohet Drejtor i Departamentit të Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit dhe Drejtues i Lartë Eduart Merkaj emërohet Drejtor i Departamentit për Kufirin dhe Migracionin në Policinë e Shtetit. Më herët, Tonin Vocaj ka mbajtur postin e Përgjegjësit të Departamentit të Hetimit të Krimit në Fakultetin e Sigurisë dhe Hetimit në Akademinë e Sigurisë. Ndërsa nga viti 2009-2010 ka mbajtur detyrën e drejtorit të Policisë së Tiranës. Vocaj është një ndër ekspertët policorë në fushën e krimeve të rënda. Ai ka drejtuar për shumë kohë Drejtorinë e Krimeve të Rënda në Policinë e Shtetit./abcnews.al