Përktheu: Sonila Backa-abcnews.al
Në vitet 1970, shtetet arabe përdorën si armë embargon e naftës për të ndëshkuar qeveritë perëndimore për mbështetjen e Izraelit. Më 30 maj, krerët e 27 qeverive anëtare të BE-së ranë dakord të kthenin armën kundër vetes, si pjesë e raundit të tyre të fundit të sanksioneve kundër Rusisë pas pushtimit të Ukrainës.
Përveç shkëputjes së Sberbank, bankës më të madhe të Rusisë, nga sistemi i pagesave ndërkufitare, paketa do të ndalojë gjithashtu blerjet e naftës bruto ruse dhe produkteve të naftës të rafinuar deri në fund të vitit.
BE-ja tha se do të kishte një përjashtim “të përkohshëm” për naftën që kalon përmes tubacioneve. Çmimi i naftës bruto Brent u rrit mbi 120 dollarë për fuçi, niveli i tij më i lartë që nga marsi.
Në parim, vendimi është shumë domethënës. Përveçse është një demonstrim i unitetit dhe gatishmërisë së bllokut për të duruar dhimbjen ekonomike për të ndëshkuar Rusinë, ai ndërpret pak e nga pak lidhjet tregtare të mbetura me Kremlinin, raporton abcnews.al.
Por gjithashtu rrezikon një nga burimet më fitimprurëse të Rusisë të të ardhurave nga valuta e huaj.
BE-ja është tregu më i madh i Rusisë për naftën bruto, duke blerë rreth gjysmën e eksporteve të naftës.
Ka arsye, megjithatë, për të qenë skeptik se një masë e tillë do të privojë Kremlinin nga shumë valuta të huaja. Si fillim, embargoja vlen vetëm për naftën e transportuar përmes detit, me cisterna. Ky është çmimi i unitetit: përjashtimi i naftës nga tubacionet ishte i nevojshëm për të gjetur një kompromis me Hungarinë, e cila ka shprehur mbështetjen ndaj Rusisë në krahasim me shumicën e vendeve të BE-së dhe që është e varur në mënyrë kritike nga tubacioni i epokës sovjetike Druzhba (një emër që do të thotë “miqësi” në rusisht).
Hungaria importon rreth 65% të naftës së saj të papërpunuar nga Rusia. Nafta e transportuar nga deti përbën një përqindje të ngjashme të importeve të Europës nga Rusia. Por ndalimi ka të ngjarë të ketë një ndikim të kufizuar në tregun e naftës.
Shumë cisterna tashmë janë subjekt i të ashtuquajturit vetësanksionim në disa zona të Perëndimit. Punonjësit e porteve kanë refuzuar të shkarkojnë anijet që transportonin mallra ruse duke rritur shqetësimin te kompanitë ruse.
Financuesit perëndimorë po tërhiqen nga nënshkrimi i kontratave të sigurimit. Por lind pyetaj nëse nafta e papërpunuar ruse, do të ngelet pashitur. Deri më tani, eksportet e naftës të Rusisë kanë shënuar rritje edhe pse vendi është nën sanksione.
Sipas analistëve në JPMorgan Chase, një bankë, eksportet ruse të naftës së papërpunuar janë rritur që nga pushtimi i Ukrainës. Pjesa më e madhe është dërguar në Indi.
Një pyetje tjetër është nëse Europa do të ndalojë plotësisht naftën ruse që kalon nëpërmjet tubacioneve. Polonia dhe Gjermania kanë thënë se do të ndërpresin importet përmes gazsjellësit Druzhba. Megjithatë, është e vështirë të imagjinohet që Hungaria të heqë dorë nga diçka e tillë, raporton abcnews.al.
Viktor Orban, kryeministri populist i vendit, ka treguar gatishmërinë e tij për të bllokuar vendimet e BE-së edhe më parë. Sado e pjesshme të jetë embargoja, tregu i naftës është aq i ngushtë sa çmimet e naftës vazhdojnë të rriten.
Kërkesa për karburant është e madhe ndërsa pandemia duket drejt fundit, jeta po i kthehet normalitetit dhe ndërsa qeveritë marrin hapa për të mbrojtur votuesit nga ndikimi i kostove më të larta të energjisë.
Lehtësimi i kufizimeve të koronavirusit nga Kina gjatë ditëve të fundit ka shtuar gjithashtu etjen për naftë. Çmimet e metaleve industriale, duke përfshirë mineralin e hekurit dhe bakrit, janë rritur gjithashtu.
Ndërkohë, Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC) dhe aleatët e saj, të cilët përfshijnë Rusinë, kanë treguar shumë pak shenja të rritjes së prodhimit. Në një takim më 2 qershor, grupi nuk pritet të njoftojë ndonjë ndryshim në planet e tij për të rritur gradualisht furnizimin në nivelet e parë para pandemisë, raporton abcnews.al.
Kombinoni ofertën e ngushtë dhe kërkesën në rritje, dhe pasojat për konsumatorët janë rritja e çmimeve. Për t’i bërë gjërat edhe më keq, mungesa e kapacitetit të rafinerisë në Amerikë ka rritur çmimet për benzinën dhe naftën edhe më shumë se kostoja e naftës së papërpunuar.
Francisco Blanch i Bankës së Amerikës thekson se rritja e dollarit ka rritur kostot për Europën dhe tregjet në zhvillim. Asnjë nga këto nuk është lajm i mirëpritur në një mjedis tashmë inflacionist. Sipas shifrave të publikuara më 31 maj, për shembull, inflacioni në eurozonë u rrit në 8.1% në vitin deri në maj, më i lartë se sa prisnin ekonomistët.
Embargoja arabe e viteve 1970 shkaktoi dhimbje afatshkurtër për Perëndimin, por gjithashtu nxiti një përpjekje për efiçencën e karburantit që përfundimisht reduktoi varësinë e tij nga nafta.
Qeveritë europiane mund ta gjejnë veten sot duke shpresuar se dhimbja afatshkurtër për konsumatorët ia vlen kur bëhet fjalë për përfitimet afatgjata të sigurisë së energjisë.
/abcnews.al