Mbrojtësi i kombëtares shqiptare Elseid Hysaj pritet të transferohet në Spanje tek Atletiko Madrid për shifrën e 15 mln euro plus bonuse. Futbollisti shkodran admirohet nga trajneri Simeone.
E ardhmja e mbrojtësit të kombëtares Elseid Hysaj pritet të zgjidhet javën e ardhshme. Mediat në Itali raportojnë se presidenti i Napolit Aurelio De Laurentis pritet të japë dritën jeshile për kalimin e futbollistit tek Atletiko Madrid. Bardhekaltërit pretendojnë mbi 20 mln euro por nënkampionët e Spanjës ndalen në 15 mln euro plus bonuset. Një ofertë që mund të pranohet nga numri një i klubit Italian pasi Hysaj nuk është në planet e trajnerit Karlo Anceloti. Klubet vazhdojnë kontaktet dhe javën e ardhshme priten detaje të reja. 25-vjeçari luan prej katër sezonesh tek Napoli ndërkohe që edicionin e fundit në pjesën më të madhe të kampionatit ka qëndruar në stol çka e detyroi futbollistin të shprehet publikisht për largimin nga bardhekaltërit. Tek Atletiko Madrid i garantohet vendi i titullarit pasi trajneri argjentinas Diego Pablo Simeone e admiron mbrojtësin për lojën taktike dhe do të përshtatej shumë shpejt me pjesën tjetër të skuadrës. Hysaj aktivizohet në futbollin italian që prej vitit 2011 ku spikati me skuadrën e Empolit e më pas bëri hapin e madh duke kaluar tek Napoli./ABC News Albania 24/7