Mauricio Sarri do të jetë trajneri i Lazios, pas largimit të papritur të Simone Inzaghi, i cili kishte arritur marrëveshje verbale, por më pas interesimi i Interit pas largimit të Contes anuloi gjithçka.
Mediet italiane ditën e djeshme raportuan për një takim të gjatë mes Igli Tares, drejtorit të Lazios dhe teknikut, në shtëpinë e këtij të fundit në Toskanë.
Me këtë takim, marrëveshja është afruar më shumë, madje raportohet se trajneri i ka shprehur edhe dëshirat e merkatos drejtorit vlonjat. Një nga emrat e kërkuar nga Sarri është Elseid Hysaj.
Trajneri dhe Hysaj kanë marrëdhënie shumë të mirë me njëri-tjetrin dhe mbrojtësi i kombëtares përfundon kontratën këtë verë dhe do largohet. Interesimi i Sarrit mund ta bindë të kalojë te Lazio.
Charalampos Lykogiannis dhe Nahitan Nandez të Cagliarit, Josip Ilicic i Atalanta dhe Rafael Borre i River Plate janë lojtarët e tjerë të kërkuar nga Sarri për të forcuar Lazion. /abcnews.al