Elis Suçi dyshohet si vrasës me pagesë, fshihej në hotele

schedule20:20 - 21 Prill, 2022

schedule 20:20 - 21 Prill, 2022

Elis Suçi i arrestuar si autori që nën kërcënimin e armës grabiti filialin e Postës Shqiptare në Kamzë, dyshohet nga policia si vrasës me pagesë. Burime pranë uniformave blu bëjnë me dije për ABC se 30 vjeçari dyshohet të jetë paguar nga anëtarë të grupeve kriminale për të kryer vrasje.

Për këtë, hetuesit po kryejnë veprime për ngjarjet e pazbardhura të ndodhura gjatë vitit 2021, periudhë që korrespondon me daljen e tij nga burgu.

Ndërsa pistoleta që iu gjet dje me vete gjatë arrestimit, u dërgua në laborator për të parë nëse është përdorur në ndonjë ngjarje.

Suçi ishte në kërkim edhe për disa grabitje të tjera të ndodhura në Kamzë gjatë muajve të fundit. Por, gjatë kësaj kohe ai ka jetuar në hotele të ndryshme në zonën e Medresesë.

Gjatë arrestimit pasditen e së mërkurës në afërsi të kësaj zone, Elis Suçi kërcënoi sërish uniformat blu. Pistoletën që mbante me vete e kishte me fishek në gojë, e cila ju hoq menjëherë nga policia.

Gjatë marrjes në pyetje, 30 vjeçari ka pranuar autorësitë e ngjarjeve të kryera prej tij, si grabitjet e ndodhura më herët dhe së fundmi atë të Postës Shqiptare. Ndërsa për goditjen me armë ndaj efektivëve të rendit një muaj më parë, Suçi ka pohuar se nuk ka qëlluar me armë drejt tyre, por në ajër.

Në Postë rezultoi se Suçi kishte grabitur duke kërcënuar dy sportelistët shumën prej rreth 1.3 milionë lekë të rinj. Me vete iu gjetën vetëm 1 milionë.

Në pranga u vu edhe bashkëpunëtori i tij në grabitje, 20 vjeçari Algert Kurti, për të cilin gjykata caktoi arrest në burg.

I riu ka pohuar se Suçi i kishte kërkuar që të qëndronte jashtë postës dhe nëse afrohej policia të qëllonte me gurë në xham. Ndërsa dy punonjësit e postës treguan se autori u ishte drejtuar me fjalët: më jepni vetëm lekët, juve nuk u bëj gjë se ju njoh.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!