“Më bëri burri si vetja”, njihuni me çiftin nga Shkodra që i është përkushtuar taekwondo-së

schedule08:12 - 10 Tetor, 2022

schedule 08:12 - 10 Tetor, 2022

Elion dhe Neriman Puka i janë përkushtuar prej vitesh sportit të taekwondo-së. Elioni e nisi karrierën sportive jashtë vendit dhe konkretisht në Itali. Ai siguroi jo vetëm fitore por dhe gjithashtu dhe përvojën e duhur për sportin e preferuar në mënyrë që ta shfaqte në qytetin e tij të lindjes.

Të ftuar në emisionin “Abc-ja e mëngjesit”, ata rrëfyen më shumë detaje. Siç tregoi Elioni, u largua drejt Italisë për të mësuar më shumë rreth këtij sporti. Atje u njoh me Nerimanin, që sot është bashkëshortja e tij, të cilën gjithashtu më vonë arriti ta bëjë pjesë e kësaj disipline.

“Janë 23 vite që praktikojmë sportin e taekwondo. Kam filluar në 2000 me ekipin e parë në Shkodër dhe më pas nga 2003 e pashë të arsyeshme me emigruar për një eksperiencë më të madhe jashtë shtetit. Ofertën e parë nga Italia e pranova, u mundova të marr më të mirën nga sporti.

Unë kam emigruar për të mësuar sportin dhe për të pasur arritje aty ku niveli është i lartë dhe thashë kjo mundësi duhet shfrytëzuar. Vitet po kalonin se çdo herë e më shumë ndjenja e të kthyerit në atdhe po bëhej më e madhe dhe në vitin 2013, bashkë me nusen, vendosëm me ardhur.

Besoj se kemi bërë gjënë më të mirë. Dhe them se jemi me fat. Ishte ndjenja dhe dëshira që kishim.“, tha Elioni. Pasi u rikthyen në Shqipëri, Elioni tregoi se i kërkoi partneres që ta ndihmonte me fëmijët e vegjël në palestër. Tani, ajo është trajnere e ekipit të Vllaznisë për taekwondo.

“Në fillim më pëlqeu të merresha me fëmijët e vegjël. Më vonë filluam me marrjen e gradave dhe sot jam trajnere e ekipit të Vllaznisë.”, shtoi Nerimani. E pyetur nëse është përballur me paragjykime për faktin se mban shami, Nerimani tha: “Kemi pasur dhe vajza të tjera me shami. Kudo ka vajza që e praktikojnë këtë sport dhe që janë me shami.” /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!