Eleminimi i Lacios, e papritura e madhe e Ligës së Europës

schedule12:39 - 13 Prill, 2018

schedule 12:39 - 13 Prill, 2018

Edhe Liga e Europës pati një të papritur të madhe. Pas emocioneve të mëdha në Romë e Madrid në Champions, erdhi eleminimi i Lacios nga një skuadër austriake.

Ndodhi në Champions, duhej të ngjante edhe këtu.

Liga e Europës nuk mund të vazhdonte pa të papriturën e saj të madhe, dhe e tillë ishte disfata eleminuese e Lacios në fushën e Salcburgut.

Çerekfinalet e të dyja kompeticioneve kontinentale për klubet patën nga një skuadër italiane në çdo surprizë, pra Romën për mirë, Juventusin pranë mrekullisë, dhe Lacion që u eleminua pa u menduar aspak.

Salcburgu arriti gjysmëfinalen e një kupe europiane për herë të parë që nga viti 1994, kur drejtohej nga ish-trajneri I kombëtares shqiptare, Oto Bariç, dhe kur diskutoi edhe finalen e Kupës UEFA, humbur përballë Interit.

Austriakët u treguan edhe një herë tjetër shumë të fortë, ashtu si ndaj Dortmundit, duke treguar se tradita e futbollit të Europës Qendrore sikur po rikthehet.

Vendasit nuk e patën problem që pësuan gol të parët, nga Çiro Imobile, por i mjaftuan vetëm 20 minuta në pjesën e dytë që të shënonin katër herë dhe të kualifikoheshin.

Skuadrat e tjera pretendente nuk gabuan.

Atletiko e Madridit u mund në Portugali, në derbin e Gadishullit Iberik, por pa pasoja.

Sportingu I Lisbonës fitoi 1-0 me rrjetë të realizuar nga Fredi Montero që në pjesën e parë, por nuk e përmbysi dot humbjen 0-2 të çerekfinales së parë në Madrid.

Edhe Arsenali e kaloi raundin, ndonëse vuajti në Moskë ndryshe nga sa priste.

Londinezët kishin fituar 4-1 në fushën e tyre, por rusët arritën epërsinë 2-0 në nisje të pjesës së dytë, ndaj kishin shpresa të plota për kualifikim.

Gjithsesi, rrjetave të Çalovit e Nababkinit, iu përgjigjën Dani Uelbek dhe Aron Ramsej, dhe skuadra e trajnerit Arsen Venger e vazhdoi momentin pozitiv, që nisi që pasi eleminoi Milanin, po në Ligën e Europës.

Pretendime ka edhe Olimpiku I Marsejës.

Skuadra e famshme franceze, por jo aq e fortë sa dikur, fitoi duelin franko-gjerman, duke eleminuar Lajpcigun.

Edhe në stadiumin “Velodrom” pati dramë, pasi gjermanët kaluan të parët në avantazh, por në një përballje me shumë gola, Olimpiku doli fitues.

Marseja triumfoi 5-2, duke zhvleftësuar humbjen e takimit të parë, me shifrat 0-1. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!