Elbasan/ Dyshime se lejuan shtrimin e rrugëve në funksion të garës elektorale, Prokuroria ndalon 4 persona

schedule17:50 - 10 Maj, 2025

schedule 17:50 - 10 Maj, 2025

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Elbasan ka regjistruar procedimin penal nr. 446 të vitit 2025, për veprat penale “Shpërdorim detyre”, “Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore”, “Ndërtim i paligjshëm” dhe “Moskallëzim i krimit”.

Hetimet nisën pas një videoje të publikuar më 5 maj 2025 në rrjetin “Facebook” me titullin “Asfalt elektoral në Belsh”, ku shfaqet një kamion me logon e kompanisë “V.H.” dhe një mjet që shtron asfalt, ndërkohë që kandidati i një koalicioni zgjedhor, shtetasi D.C., denoncon veprimet si të motivuara politikisht, vetëm një javë para zgjedhjeve të 11 majit.

Nga hetimet rezulton se punonjës të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) në Bashkinë Belsh kanë lejuar shtrimin e rrugëve të brendshme pa projekt dhe leje, në bashkëpunim me subjektin privat “V.H.” shpk, në shkelje të ligjit dhe në funksion të fushatës zgjedhore. Subjekti dyshohet se ka kryer ndërtime të paligjshme, ndërsa zyrtarët lokalë kanë shpërdoruar detyrën duke mos vepruar për ndalimin e punimeve.

Më 10 maj 2025, Prokuroria urdhëroi ndalimin e katër personave të dyshuar. Policia ka ekzekutuar ndalimin për dy prej tyre, ndërsa Dh.K. dhe B.H. janë shpallur në kërkim. Gjithashtu, janë ushtruar kontrolle në vendbanime dhe ambiente të tjera në kuadër të hetimeve.

Procedimi penal vijon në përpjekje për të zbardhur të plotë rrethanat e kësaj çështjeje të ndjeshme zgjedhore. / abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!