E ardhmja e Lautaro Martinez pritet të jetë Spanja. Barcelona dhe Real Madrid e kanë objektiv primar sulmuesin e Interit dhe do të garojnë fort në merkaton e verës për të siguruar shërbimet e tij. 22-vjeçari argjentinas ka një klauzolë largimi prej 111 milion eurosh, shumë e përballueshme për dy klubet e mëdha spanjolle.
Mundo Deportivo raporton se katalanasit janë në avantazh, por “Los Blancos” nuk duhen nënvlerësuar kurrë. Reali kërkon një zëvendësues për Karim Benzema, dyshja Vinicius-Rodrygo nuk po bindin plotësisht dhe Lautaro shihet si lojtari perfekt për majën e sulmit të skuadrës së Zidane. Edhe Barcelona e kërkon për zëvendësimin e Luis Suarez.
Leo Messi thuri elozhe për patriotin e tij gjatë një deklarate të disa ditëve më parë dhe Lautaro, i cili po zhvillon një sezon shumë pozitiv me zikaltrit, e ka shprehur gjithmonë dëshirën e madhe për të luajtur përkrah futbollistit më të mirë në planet. /abcnews.al