El Chapo dënohet me burg përjetë dhe gjobë 12.6 mld dollarë

schedule14:20 - 18 Korrik, 2019

schedule 14:20 - 18 Korrik, 2019

Një gjykatë në Nju Jork ka dënuar me burgim të përjetshëm si dhe me 30 vjet të tjera burg trafikantin e njohur të drogës El Kapo. Ai u shpall fajtor për 10 akuza. Gjithashtu ai duhet të paguajë dhe 12.6 miliard dollar, një shumë e fituar nga trafikimi i drogës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Hoakin Guzman “El Chapo”, trafikanti meksikan i drogës më i njohur në botë, u dënua nga një gjykatë në Nju Jork me burgim të përjetshëm pasi u shpall fajtor për dhjetë akuza. Duke folur nëpërmjet një përkthyesi, ai e cilësoi burgosjen e tij një torturë psikologjike, emotive dhe mendore 24 orë në ditë.

Dënimi parashikon dhe një 30 vjet të tjera burg. Gjykatësi ndër të tjera i ka urdhëruar të paguajë 12.6 miliard dollar. Një shumë e barabartë me paratë e fituara nga trafiku i drogës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës para arrestimit të tij.

“El Chapo”, 62 vjeç, ishte shpallur fajtor në muajin shkurt për trafikun e disa ton kokainë, heroinë dhe marijuanë si dhe disa vrasje si bosi i kartelit të Sinaloas, një prej organizatave meksikane më të mëdha dhe të dhunshme.

I arrestuar në Meksikë, Guzman u ekstradua në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në marrëveshjen për ekstradimin mes Meksikës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të firmosur në 2017-ën, është përjashtuar mundësia e dënimit me vdekje./ABC News Albania 24/7