Katër orë pas vrasjes së Kastriot Reçit në Rrëshen, policia nuk ka ende asnjë person të dyshuar apo të ndaluar. Në njoftimin për mediat të orës 14:40 thuhet se policia kërkon ndihmën e qytetarëve, duke ofruar shpërblim prej 2 milione lekësh (ose 20 milione te vjetra) për atë që mund të japë informacion të vlefshëm lidhur me autorët e krimit.
Kastriot Reçi u ekzekutua gjatë mesditës së sotme me armë zjarri në Rrëshen, përpara lokalit të tij. 47-vjeçari ishte pronar i një televizioni lokal dhe i disa bizneseve të tjera. Në Mirditë shkuan ministri i Brendshëm, Sander Lleshaj dhe Drejtori i Policisë së Shtetit. Grupi hetimor mësohet se mori në pyetje familjarë dhe dëshmitarë për të zbardhur dinamikën dhe motivet e ngjarjes.
Gazetari, Gjergj Figuri raporton për abcnews.al se Kastriot Reçi është vrarë me katër plumba. Pista e parë e hetimit është ajo e hakmarrjes.
Zanafilla e hakmarrjeve lidhet me vrasjen në qytetin e Rreshenit, të punonjësit të OSSH-së, Sajmir Jaku në shtator të vitit 2016, vrasje e cila mbeti pa autor.
Duket sikur ka krijuar një histori hakmarrjesh, që është pasuar me vrajsen në Belgjikë po në shtator të 2017 të Kreshnik Gjinit që mendohet se është kryer në shenjë hakmarrjeje për vrasjen e Gasper Reçit në Itali.
Atentatorët e sotëm të maskuar ishin të mirëinformuar për të realizuar eliminimin. Duket se është një krim hakmarrje dhe policia referuar këtyre ngjarjeve mund të arrijë në gjetjen e atentatorit, raporton gazetari i Abc News.
Njoftimi i policisë së Lezhës
Në lidhje me ngjarjen e ndodhur sot, rreth orës 11:05, në afërsi të një lokali në Rrëshen, Mirditë, ku në rrethana ende të paqarta u vra me armë zjarri shtetasi K. R., 47 vjeç, Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë, për çdo informacion të saktë që do çojë në zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe vendndodhjen e autorit vë në dispozicion shumën 2 milionë lek (të rinj).
Kushdo që mund të ketë informacion të vlefshëm, të telefonojnë në numrin unik 112 dhe në numrin në dispozicion për këtë qëllim 069 41 06 449, duke ju garantuar anonimat të sigurt dhe reagim të menjëhershëm.
Për zbardhjen e kësaj ngjarjeje është ngritur grupi i posaçëm hetimor, me specialistë nga Departamenti i Policisë Kriminale, DVP Lezhë dhe Komisariati i Policisë Mirditë, nën drejtimin e Prokurorisë dhe vijon puna për grumbullimin dhe administrimin e çdo prove sado të vlefshme që do t’i shërbejë hetimit.
Në ndihmë të DVP Lezhë dhe Komisariatit të Policisë Mirditë kanë shkuar disa grupe të FNSH Shkodër dhe vijon krehja e zonës, me qëllim kapjen e autorëve.
Ndërkohë, është bashkëpunuar me DVP Shkodër, Tiranë e Kukës dhe Policinë Kufitare, për të shtuar kontrollet në akset rrugore dhe në kufirin e gjelbër, me qëllim parandalimin e daljes jashtë vendit të autorit/ve të dyshuar.
Lexo edhe:Kastriot Reçi i fundit, seriali i vrasjeve për hakmarrje në Rrëshen