Ekzekutoi pronarin e picerisë, vrasësi shqiptar çoi në duart e policisë rrjetin e madh të drogës nga Belgjika në Itali

schedule10:46 - 9 Maj, 2022

schedule 10:46 - 9 Maj, 2022

Në prill 2020, qendra e Strombeek-Bever në Belgjikë u trondit nga një vrasje në mes të ditës me autor një shqiptar. Pronari 42-vjeçar i picerisë u qëllua për vdekje në biznesin e tij. Grabitja u përjashtua menjëherë nga pistat e hetimit. Autori ka hyrë, ka hapur zjarr dhe është larguar, duke mos shfaqur interes per kasën.

Menjëherë pas kësaj, policia ka marrë një denoncim për një automjet të djegur disa kilometra larg. Doli të ishte makina e arratisjes. Arma e vrasjes ishte ende aty.

Dëshmitarët kishin parë autorin të nxirrte një biçikletë të palosshme nga bagazhi para se t’i vinte flakën makinës dhe më pas të nisej për në Merchtem. Në bazë të përshkrimit të dëshmitarëve, ai u arrestua shpejt. Bëhej fjalë për një 35-vjeçar shqiptar i cili ndodhet ende në paraburgim në pritje të gjykimit.

Kokainë në vend të picës

Por puna e detektivëve i çoi shpejt studiuesit në një pistë që nuk e kishin pritur. Shitja e picave ishte në të vërtetë vetëm një “punë kamufluese”. Në fund të fundit, kokaina u mundësonte shumë më tepër para. Vrasja rezultoi të ishte për pazare droge.

Hetuesit hartuan një rrjet që importonte kokainë nga Holanda dhe e kontrabandonte atë në Itali nëpërmjet Strombeek-Bever. Banda kishte ndërtuar një rrjet që mundësonte që droga të shkonte në Itali pa u zbuluar.

Nuk është ende e qartë se çfarë kishte ndodhur saktësisht apo çfarë shkoi keq që pronari i picerisë duhej të eliminohej. Gjatë kontrolleve të shtëpive në Itali, në Bruksel dhe Strombeek-Bever u arrestuan gjithsej 12 persona dhe u sekuestrua një ngarkesë kokaine.

/abcnews.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!