Mbrëmjen e sotme u ekzekutua në Elbasan Everest Çaka rreth 41 vjeç. Ai ishte me gruan në makinë në momentin që mbi trupin e tij u qëllua disa herë me armë zjarri duke e lënë të vdekur në lagjen “Skënderbej”. Bashkëshortja Silvana Çaka u plagos në dorë dhe është jashtë rrezikut për jetën.
41-vjeçarit disa vite më parë i është vrarë edhe i vëllai në Barcelonë në një pritë me armë zjarri. Everest Çaka që dyshohet se u vra me pistoletë me silenciator është djali i tezes së Arjan Spahiut, që u ekzekutua në nëntor të vitit të kaluar në Molembeg të Belgjikës.
Everest Çaka dyshua si një nga personat e përfshirë në vrasjen e Gëzim Alikajt vite më parë duke çuar grupin hetimor që hakmarrjen ta kenë pistë konkrete edhe pse është akoma herët.
Vrasja në Belgjikë
Ekzekutimi i 38 vjeçarit, Arjan Spahiu vitin e kaluar në Bruksel solli pak ditë më parë në Elbasan një grup hetuesish dhe prokurorësh belgë. Tre hetues, sëbashku me prokurorë dhe përfaqësues të ambasadës, kryen takime intensive me zyrtarë të lartë të policisë dhe prokurorisë në Elbasan.
Qëllimi ka qenë mbledhja e informacioneve për Arjan Spahiun dhe aktivitetin e tij në Elbasan dhe jo vetëm, të cilat mund të çojnë në zbardhjen e motive të ekzekutimit të tij. Grupi i hetuesve nga Brukseli qëndruan rreth katër ditë në Elbasan. Spahiu u ekzekutua në një pritë mafioze në 28 nëntor në kryeqendrën e Europës. Ai u qëllua me armë zjarri sapo doli nga një lokal në zonën e Molenbek. 38 vjeçari ishte nën shoqërinë e mikut të tij, Florian Narazani.
Saga e vrasjeve
Everest Çaka 41-vjeç është viktima e radhës e sagës së hakmarrjes në Elbasan që ka vijuar në disa shtete të BE-së, nga Spanja në Belgjikë. Çaka që njihej me dy emra, Everest dhe Ibrahim në vitin 2010 ka qenë i arrestuar së bashku me Ardit Spahiun dhe një tjetër person për vrasjen e Gëzim Alikajt brenda makinës së tij me një plumb në kokë.
Zanafilla e konflikteve duket se ishin prishjet e pazareve, pasi pas Gëzimit u ekzekutua vëllai i tij Florenc Alikaj ose “Lenc Kokëmadhi”, që sapo kishte dalë nga burgu në Spanjë ku ishte dënuar për trafik droge. Në Spanjë është vrarë edhe vëllai i 41-vjeçarit Çaka që u ekzekutua sonte, që njihej me nofkën “Noçe”.
Për ekzekutimin u dyshua se ishte i përfshirë edhe Zenel Mahmuti, që përdorte edhe emrin Andon dhe njihet me nofkën “Nel Çami”. Kundër vëllait të këtij të fundit, Bujar Mahmuti u qëllua me armë dhe mbeti i plagosur duke i shpëtuar atentatit. Por hakmarrja ndaj “Nel Çamit” nuk u mbyll me kaq, pasi në 2011 iu ekzekutuan i ati dhe dy vëllezërit në gjumë, ndërsa kunata mbeti e plagosur rëndë.
Por përpos vëllait në Spanjë Çakës iu vra edhe kushëriri në Belgjikë Arjan Spahiu, i cili është vëllai i kunatit të Erion Alibejt, i arrestuar në Elbasan dhe akuzuar si organizator i vrasjeve të Emiljano Ramazanit dhe Egis Runajt.
/Abcnews.al