Dy vëllezër janë arrestuar si autorë të dyshuar të vrasjes së 33-vjeçarit Ramazan Mataj në fshatin Dragoç të Shkodrës. Dy të afërm të tyre janë shoqëruar si bashkëpunëtorë.
Policia e Shkodrës në një konferencë për shtyp ndanë detajet nga hetimet dhe si autorët nxorrën në pritë viktimën.
“Nga hetimet rezultoi se shtetasi Arjon Hasaj, 29 vjeç, banues në Dragoç, për motive të dobëta, ka organizuar dhe ka kryer vrasjen e shtetasit Ramazan Mataj. 29-vjeçari, nëpërmjet llogarive të rreme në rrjete sociale, ka komunikuar me shtetasin Ramazan Mataj, për ta nxjerrë në pritë në fshatin Dragoç, ku dhe dyshohet se e ka vrarë.
Gjithashtu, nga hetimet dyshohet se shtetasi Ramazan Mataj kishte ndikuar për prishjen e marrëdhënieve bashkëshortore të motrës së autorit. Autori i dyshuar është ndihmuar nga vëllai i tij, shtetasi Klisman Hasaj, për sigurimin e kushteve për të kryer vrasjen dhe për të fshehur armën e krimit.
Si rezultat i kontrolleve u bë e mundur gjetja e armës së zjarrit me të cilën dyshohet se autori ka kryer vrasjen. Pas krimit, dy vëllezërit e fshehën armën në një zonë të pyllëzuar dhe më pas e groposën në tokë në oborrin e banesës.”, tha drejtuesi i policisë Shkodër, Fatmir Lleshaj.
I riu Ramazan Mataj ishte në makinë kur e zu në pritë dhe ndaj tij u derdhën breshëri plumbash. Ai u gjet i pajetë mëngjesin e 5 janarit, nga banorët e zonës brenda në makinë, të cilët më pas njoftuan edhe policinë./abcnews.al