Ekuilibri i brishtë në marrëdhëniet SHBA – Kore e Veriut

schedule14:10 - 24 Korrik, 2019

schedule 14:10 - 24 Korrik, 2019

Në pritje të stërvitjeve të përbashkëta ushtarake mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Koresë së Jugut, tensione mes Penianit dhe Uashingtonit janë përshkallëzuar dhe më shumë. Sipas analistëve marrëdhëniet aktuale mes dy palëve janë shumë të brishta

Korea e veriut inspektoi një ndërtim të ri nëndetësesh duke shtuar presionin ndaj diplomacisë së Uashingtonit. Një reagim që vjen pasi në muajin e ardhshëm Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Korea e Jugut do të nisin stërvitje të përbashkëta ushtarake që mund të kenë pasoja në negociatat për çarmatimin bërthamor.

Nëse deklaratat e Penianit tingëllojnë si një paralajmërim për negociatat në vazhdim mes dy palëve, nga Shtëpia e Bardhë Donald Trump përpiqet të qetësojë opinionin publik. Gazetarëve të pranishëm në zyrën ovale Presidenti i bëri të ditur se marrëdhëniet me liderin Kim Jong Un janë shumë pozitive, sidomos pas takimit në fund të qershorit në zonën neutral mes dy Koreve. Nuk ka teste bërthamore as me raketa, mendoj se kur të jenë gati do të takohemi dhe do të mund të flasim për çarmatimin bërthamor, u shpreh kreu i Shtëpisë së Bardhë.

Nëse nga njëra anë Trump përpiqet të minimizojë situatën, Kim Jong Un i ka urdhëruar zyrtarët e tij të përforcojnë dhe më shumë kapacitetet ushtarake të vendit, dhe të mbajnë nën kontroll vendimet e ardhshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Thënë ndryshe stërvitjet ushtarake në datat 11 – 20 gusht. Vitin e fundit dy liderët janë takuar tre herë dhe kanë shkëmbyer disa letra personale. Por ekuilibri mes palëve mbetet ende i brishtë./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!