“Ekuilibër, sakrificë dhe dominim”, Daja: Merita e djemve, nuk flasim për titullin

schedule15:17 - 13 Mars, 2021

schedule 15:17 - 13 Mars, 2021

Partizani fitoi 1-2 derbin kundër Tiranës, duke i mundur kampionët në fuqi për herë të dytë në këtë sezon. Trajneri i “Demave”, Ilir Daja analizoi për Supersport fitoren e sotme, paraqitjen e djemve të tij, teksa ndalet edhe te gara e fortë për titullin kampion.

Pas 2-3 rezultateve jo pozitive, vijmë te një ndeshje kyçe, pasi është ndeshja më e fortë e kampionatit shqiptar. Në derbi ka rëndësi fitorja e ndeshjes. Ishim në superioritet përveç 10 minuta: dominuam në qarkullim topi dhe raste të krijuara. Kishim gjatë gjithë kohës ekuilibër.

Mala ishte i dëmtuar, nuk donim ta rrezikonim. Ai është lojtar i rëndësishëm dhe vendosëm ta aktivizonim gjatë ndeshjes, por pritëm edhe lëvizjet e Tiranës. Në momentin që ata bënë zëvendësime, ne futëm Malën në lojë.

Ne nuk ndryshojmë vendosje, gjatë gjithë kampionatit ndryshojmë manovrën. Sot kishim zgjedhur një mënyrë tjetër për ta interpretuar lojën, edhe në bazë të kundërshtarit. Na rezultoi pozitive, sepse sot lojtarët kanë qenë më shumë të përqendruar për të ndihmuar njëri-tjetrin dhe për të mbajtur ekipin në bllok. Nuk është merita jonë, është e lojtarëve, ne na kanë suport gjithmonë.

Shqetësimin e kam nga ekipi që drejtoj, Partizani për Partizanin. Tre rivalët për titullin kanë karakteristika të ndryshme. Vllaznia është më agresivë në sulm, por ka më pak ekuilibër në mbrojtje. Të treja janë ekipe të vështira. Nuk do e përmendin fjalën kampionë, do vazhdojmë të jemi me objektivin e kupave të Evropës minimalisht. Llogaritët i bëjmë në fund. Tre kundërshtarët janë të vështirë, me karakteristika të ndryshme.

Shehi? Nuk jam takuar akoma, u takuam vetëm përpara ndeshjes. Në derbi janë sekondarë trajnerët, aktorët kryesorë janë lojtarët. Unë dhe Shehi punojmë gjithë javës, në fund interpretojnë lojtarët. Pak gjëra kam për t’i thënë Shehit.

Edhe nga ndeshjet e kaluara, duke filluar që nga Vllaznia që ishte në krye, nuk është se ekipet e tjera kanë bërë rezultate pozitive. Javët e vështira kanë filluar me kohë, ka pak diferenca mes ekipeve. Nëse nuk ke motivim dhe përqendrim, sidomos këtë të dytën, edhe ato duele që janë të lehta në letër, bëhen të vështira.

Ai që është më afër rikthimit, është Junior. Hasani ka filluar dje me vrapime me intensitet të lartë, por me stërvitje të diferencuar. Të hënën do të ketë një kontroll. Dominguez i duhet pak kohë për t’u përshtatur me manovrën tonë. Ndeshjet janë të forta dhe rezultatet nuk na kanë ndihmuar që të bëjmë një hap për të rrezikuar në lidhje me aktivizimin e tij“, përfundoi Ilir Daja. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!