Ushtria ekuadoriane ka sekuestruar pesë tonë drogë në një lloj nëndetëse, në brigjet e ishujve Galapagos njoftuan zyrtarët e ushtrisë. Operacioni detar u bë në zonën që konsiderohet si trashëgimi natyrore kombëtare. Ushtria lokalizoi gjysmë-nëndetësen me 5 tonë substanca të dyshimta që do të kontrollohen, thuhet në deklaratën e ushtrisë.
Prej vendndodhjes së tij strategjike, Ekuadori është kthyer në një qendër logjistike të transportit të kokainës drejt SHBA, Evropës e Amerikës Qendrore, shkruan agjencia “AFP”.
Ishujt Galapagos gjenden 1 mijë kilometra larg brigjeve të Ekuadorit, por po përdoren si një korridor i kalimit të drogave madje së fundmi dhe armatimeve. Javën e kaluar ushtria tha se kishte ndaluar një anije me 122 pushkë, 48 pistoleta e 124 njësi municionesh rreth 150 milje larg ishullit të San Cristobal.