Bota u shokua kur pa protestuesit e dhunshëm teksa sulmuan ndërtesën e Kongresit amerikan, në një përpjekje të dëshpëruar dhe të dhunshme për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve legjitime presidenciale, me qëllim që t’i japin edhe një mandat të dytë presidentit aktual, Donald Trump.
Por, komentuesit nga e djathta ekstreme e spektrit politik në Europën Lindore dhe në Ballkan, në shumë raste, u inkurajuan nga ajo që panë. Shumë prej tyre treguan solidaritet me protestuesit në SHBA, shumë prej të cilëve gjatë protestës valëvitën flamurin e Konfederatës amerikane, një simbol racist.
Andreas Umland, që shkruan ekskluzivisht mbi ekstremizmin politik në mbarë botën, shkroi në Facebook, se Trump nuk është i ndikuar ideologjikisht siç janë figurat djathtiste në mbarë botën.
Anton Shekhovtsov, ligjërues në Universitetin e Vjenës, që është ekspert në neo-nazizëm dhe lëvizje të tjera ekstremiste në Rusi dhe vende të tjera tha se Trump bën pjesë në mesin e “populizmave bashkëkohorë të djathtë në Europë” që “bazohen në kombinimin e një nativizmi, autoritarizmi dhe populizmi”.
Një numër i madh i figurave të së djathtës ekstreme në Europën Lindore dhe në Ballkan, gjetën mbështetje për pikëpamjet e tyre gjatë ngjarjeve të dhunshme që u panë në Shtetet e Bashkuara.
Në Ukrainë, Serhiy Korotkikh, lider i Lëvizjes Azov e së djathtës ekstreme, që nga Departamenti Amerikan i Shtetit është cilësuar si “grup nacionalist i urrejtjes”, ka mirëpritur trazirat në SHBA, duke përdorur terma racist.
“Të bardhët më në fund vendosën të veprojnë dhe të marrin nën kontroll ndërtesën e Kongresit”, shkroi ai në rrjetin Telegram.
Gjithashtu në Ukrainë, Andriy Portnov, ish-ligjvënës dhe zëvendësshef i stafit i presidentit pro-rus, Viktor Yanukovych – që u largua nga pushteti përmes protestave më 2014 – shkroi në telegram se “kryengritja” në Uashington “ishte turpi i një banana republike”.
Në Bjellorusi, ku po mbahen protesta që prej zgjedhjeve presidenciale të gushtit të vitit të kaluar, ku Alyaksandr Lukashenka pretendon se ka fituar mandatin e gjashtë – një kanal pro Lukashenkës në rrjetin Telegram, tentoi të paraqiste një standard të dyfishtë ndërmjet protestave bjelloruse dhe trazirave në Uashington.
“Le t’i emërojmë gjërat ashtu siç e kanë emrin. Nuk ishte kryengritje, por ‘një protestë paqësore, e mbrojtur nga amendamenti i dytë i Kushtetutës”, u shkrua në këtë kanal, duke iu referuar amendamentit të Kushtetutës amerikane, ku garantohet e drejta për të mbajtur armë.
“Ata nuk ishin protestues të dhunshëm, por ‘luftëtarë të vlerave demokratike’. Nuk kishte masakër në Kongres, por ‘një ekskursion arsimor me elemente interaktive’”.
Ngjarjet në Uashington rezonancën më të fortë e gjetën në figurat e së djathtës dhe nacionalistët në Serbi. Nikola Sanduloviq, kreu i Partisë Nacionaliste Republikane, postoi në Twitter një fotografi të një mbështetësi të Trumpit, që përdhoste statujën e ish-presidentit amerikan, Gerald Ford, që gjendet brenda Kongresit, dhe me shkronja të mëdha shkroi: “Era e lirisë, drejtësisë dhe së vërtetës”.
Ai, po ashtu, postoi një dokument të ish-avokates së fushatës së Trumpit, Sindey Powell, dhe pretendonte se ajo përmbante dëshmi për ndërhyrjen e SHBA-së në zgjedhjet serbe përmes kompanisë që ofron shërbime për zgjedhje, Dominion. Këto pretendime të Powell se kompania Dominion ka qenë e përfshirë në mashtrime zgjedhore, janë diskredituar.
Nacionalisti serb, Dejan Beriq, që ka luftuar përkrah mercenarëve rusë në lindje të Ukrainës, ka postuar një video në YouTube, duke i bërë thirrje zyrtarëve të rendit në SHBA, që të mos përdorin dhunë ndaj “protestuesve paqësorë” ose të mos “shkelin të drejtën e tyre për të shprehur pakënaqësitë ndaj qeverisë”.
Ai, po ashtu, përdori sarkazëm duke thënë se refuzon që ta njohë presidentin e zgjedhur amerikan, Joe Biden, dhe bëri thirrje që të vendosen sanksione ndaj personave që e njohin Bidenin si president të zgjedhur të SHBA-së./abcnews.al