Ekstradohet nga Belgjika Leonard Duka, i shpallur në kërkim për vrasjen e Santiago Malkos

schedule13:39 - 2 Gusht, 2024

schedule 13:39 - 2 Gusht, 2024

Leonard Duka, një prej personave më të kërkuar të drejtësisë shqiptare, është ekstraduar të premten nga Belgjika për në Shqipëri.

Pas kërkesës së autoriteteve shqiptare, disa ditë më parë Belgjika pranoi që Leonard Duka të dorëzohet tek autoritetet e vendit tonë, për shkak se SPAK, e ka shpallur në kërkim për vrasjen e Santiago Malkos, si dhe për operacionin “Revanshi” ku në total u lëshuan 50 urdhërarreste ndërsa u goditën 7 grupe kriminale.

Duka u arrestua në Belgjikë në shkurt 2023, ndërsa mësohet se në aeroportin e Rinasit ka mbërritur nën masa të forta sigurie I shoqëruar edhe nga forcat RENEA.

Leonard Duka, njihet si kreu i Klanit ‘Duka’ të cilët kanë qenë të skeduar si grup i strukturuar i trafikut të drogës Shqipëri-Gjermani.

Ndërkohë sipas dosjes hetimore të SPAK, ‘Klani’ Duka njihen edhe si armiqtë e betuar të Ervis Martianj, që rezulton i zhdukur që prej gushtit 2022, fati i të cilit ende nuk dihet.

Kreu i klanit “Duka”, Leonardi dhe Martinaj më parë kishin qenë miq dhe ortakë në biznesin e lojërave të fatit. Përplasja për biznesin e bixhozit nga ku qarkullonin shuma të mëdha parash, i ktheu në dy armiq me përplasje të ashpra dhe përpjekjet për të eliminuar njëri tjetrin.

Martinaj akuzon vëllezërit Damian e Leonard Duka, për vrasjen e Santiago Malkos pasi ky i fundit goditi babanë e Leonardit dhe Erlisit.

Përgjimet në dosjen e Prokurorisë së Posaçme, zbuluan se Leonard Duka pasi dështoi të eliminonte Ervis Martinajn, dyshohet se porositi vrasjen e Santiago Malkos, krahut të djathtë të Martinajt.

Për këtë vrasje Martinaj ishte i vendosur të merrte hak dhe kërkonte me çdo kusht eliminimin e Leonard Dukës dhe rrethit të tij të ngushtë, Elvis Gacaj dhe Altin Gega. Për këtë ai ofroi shuma të mëdha parash deri në 1 milion euro.

/abcnews.al