Ekspozitë për parandalimin e trafikimit të qenieve njerëzore, Kushi: Lufta të fillojë nga shkolla

schedule11:10 - 29 Qershor, 2021

schedule 11:10 - 29 Qershor, 2021

Është zhvilluar këtë të martë ekspozita “Care and Dare” , në sheshin “Nënë Tereza” për parandalimin e trafikimit të qenieve njerëzore.

Pjesë e këtij organizimi ishte edhe ministrja e Arsimit Evis Kushi, e cila u shpreh se ndërgjegjësimi i qytetarëve në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore është shumë i rëndësishëm dhe kjo sipas saj duhet të nisë që nga shkolla.

“Nuk ka ide më origjinale se sa të përdorësh artin për të edukuar dhe ndërgjegjësuar njerëzit në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore”, është shprehur Kushi.

Ndërsa falënderoi  nxënësit artistë në mbarë Shqipërinë që me pikturat e tyre kreative shprehën botëkuptimin tyre rreth këtij fenomeni, Kushi gjithashtu nënvizoi se për fat të keq ka ende gra dhe vajza që nuk gjejnë guximin e duhur për të treguar kur janë të abuzuara, dhunuara apo trafikuara ose kur shohin raste të tilla.

“Si ministre, si grua dhe si nënë mendoj se fushata për të sensibilizuar dhe edukuar kundër këtij fenomeni duhet të fillojë nga shkolla, nga edukimi që në moshë të vogël. Shoqëria, prindërit, institucionet tona duhet të bëjnë më shumë për t’i dëgjuar dhe mbështetur fëmijët viktima të trafikimit të qenieve njerëzore”, tha Kushi.

Më tej ajo tha se fëmijët i edukojmë që të flasin me nënën e tyre, me shoqen, me mësuesen, me punonjësit psikosocial.

Sipas ministres, lufta kundër trafikimit të qenieve njerëzore do të mund të jetë e suksesshme vetëm nëse do të kemi një bashkërendim të të gjitha institucioneve, organizatave, shoqërisë, familjes apo prindërve./abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!