“Gardianët e Parajsës”, është titulli i ekspozitës për Korenë e Veriut hapur në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës. Ekspozita është një instalacion me fotografi, që paraqet momente e dukuri të përditshmërisë në Korenë e Veriut. Njohësit e artit janë shprehur hapur kundër saj, duke thënë se është ide shumë e keqe.
Me parulla e fotografi të dikatorit, ish-udhëheqësit të përjetshëm të Koresë së Veriut, Kim Jong-il, u hap në Prishtinë, në Bibliotekën Kombëtare, ekspozita e regjisorit norvegjez, Morten Traavik për Korenë e Veriut. Drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Fazli Gajraku, tha në ceremoninë e hapjes së ekspozitës, se Traavik, duke e njohur mirë këtë sistem, por duke e ditur edhe kontekstin e një të kaluare të Kosovës, jo pak të ballafaquar me totalitarizmin e censurën, vendosi të çojë në Prishtinë një ndër projektet e tij më të suksesshme. Por njohësit e artit thanë se është një instalacion i neveritshëm. Regjisori Ben Apolloni tha se e gjitha është një ide shumë e keqe dhe pa shije.
Kritiku i artit Ilir Muharremi,u citua gjithashtu nga mediat në Kosovë, të thoshte se portretet me proporcione të bëshme, patetike, muskuloze, gra me uniforma ushtarake, parada me uniformitet të pabesueshëm lëvizjesh të njësuara, fëmijë me shalle të kuqe e ngjyra jete nga shteti më i izoluar në botë, ngjajnë me piktura dhe skulptura në Shqipërinë kur sundonte realizmi socialist.
Muharremi tha se nuk duhet një Kim Jong, ndërkohë që kemi Jongun tonë, Enver Hoxhën. Reagime e kritika të shumta për këtë ekspozitë, ka pasur edhe në rrjete sociale, veçanërisht për imazhet e dikatorit korean, të cilat janë të vendosura pranë rilindasve, De Radës dhe Naim Frashërit. /abcnews.al