“Ndahemi t’bashkuem”, me kuratore artisten Realda Abdija sollën netët kulturore të Lezhës në bunkerin nën turma, mënyra për të identifikuar historinë, kulturën dhe mundimet e para, pas viteve 90.
Kjo ekspozitë që u ndërthur edhe me elemente të tjerë kulturore zgjoi kureshtjen e qytetarëve e vizitorëve për ta parë hapësirën prej betoni si një mjet mendimesh e meditimi.
Për të arritur këtu, kuratorja e aktivitetit Realda Abdija tha se u frymëzua ndërsa lexonte sesi flitej për bunkerët nga ata që nuk e jetuan Shqipërinë, dhe sesi këto vepra absurde mund të kthehen në elemente kulturore, për të prezantuar ndjesitë e çdo artisti.
Ajo bashkëpunoi me protagonistët që memorizuan fragmente nga e shkuara siç është fotografi Fran Bushi, por u mbështet edhe nga artistët lokale.
Në këtë mënyrë Realda Abdija synon të ndërtoje lidhjen mes të shkuarës, emigrimit dhe të sotmes si një nevojë për të ndërtuar memorien dhe bashkuar edhe me shume vizitorët e saj.
Shqipëria e mbyllur, instalacioni i artistit Oltsen Gripshi kishte vend pikërisht brenda këtij bunkeri.
Megjithëse ishte frymëzim i periudhës së pandemisë dhe bllokadës që pati e gjithë bota, për artistin Gripshi kjo tregon pikërisht Shqipërinë e një viti më parë, dhe aq më shumë atë Shqipëri të mbyllur gjatë periudhës komuniste.
Diçka nga qyteti i vjetër, qytetarë të saj apo në kërkim të vetes, ishin arsyet për të cilat vizitorët ndoqën me vëmendje gjithçka ishte vendosur brenda bunkerit, por e shohin edhe si një nevojë që asgjë të mos harrohet e nga ana tjetër mundësi për pushuesit në bregdet që të përjetojnë një ndjesi ndryshe.
Aktiviteti është ndarë në 2 net duke shfaqur pjesë të ndryshme kulturore, por ajo do te shihet si një mundësi për të qenë e pranishme gjatë këtij sezoni veror dhe nxitje që veprat komuniste të shihen si vende ku mund të zhvillohet art. /abcnews.al/