Sektori energjitik ka pasur një ecuri pozitive gjatë vitit që sapo u mbyll. Për shkak të mirëmenaxhimit të situatës Korporata elektroenergjitike KS realizuar një tjetër procedurë të shitjes së energjisë gjatë javës së fundit të vitit. Nga eksporti i energjisë me dy lote janë arkëtuar rreth 619 mijë euro. Ndërkohë që në total përgjatë vitit 2023 KESH ka arkëtuar 52.2 milion euro duke përmirësuar financat e kompanisë. Në krahasim me një vit më parë eksportet e energjisë janë rritur me rreth 15 milion euro. Moti i favorshëm me reshje intensive gjatë javëve të fundit ka rritur rezervën energjitike në vend. Niveli i ujit në liqenin e Fierzës rezulton se është 286 metra mbi nivelin e detit ose gati 11 metra më shumë nëse e krahasojmë menjë muaj më parë. Aktualisht Fierza nuk po prodhon energji si një masë për të shtuar rezervën energjitike ndërkohë që nevojat e vendit me energji elektrike po plotësohen nga dy hidrocentralet e tjerë si Komani dhe Vau i Dejës.
Ndërkohë që sipas të dhënave vetëm për 10 muaj nga Enti Rregullator i energjisë rezulton se prodhimi i energjisë elektrike ka arritur në 7.1 milion megavatorë ndërkohë që energjia e prodhuar përgjatë gjithë vitit 2022 u gjeneruan rreth 7 mln mwh. Në 31 dhjetor ka përfunduar afati i emergjencës elektrike në vend i vendosur nga qeveria që prej tetorit të vitit 2021 për shkak të rritjes së fortë të çmimeve të energjisë pas nisjes së konfliktit të armatosur Rusi-Ukrainë. Përtej përmirësimit të situatës energjitike në vend edhe çmimet e energjisë në tregjet ndërkombëtare janë stabilizuar duke arritur në nivelin më të ulët në dy vite./abcnews.al