Alpet Shqiptare kanë rrëmbyer vëmendjen e medias së njohur amerikane “Lonely planet”. Bukuritë natyrore të Shqipërisë do t’ju lënë pa frymë thuhet që në nisje të artikullit, ndërsa sugjerohet që vizitorët ta nisin aventurën pikërisht nga Shkodra. Qyteti plot ngjyra ofron shumë për turistët, nga muzetë, kalanë e Rozafës, xhirot me biçikleta, ushqimin dhe vendet e shumta ku mund të akomodohen.
Ditën e dytë, Lonely Planet rekomandon udhëtarët të marrin tragetin e liqenit të Komanit një udhëtim gati tre orë ku mund të shijojnë pamje fantastike mes maleve të larta deri në mbërritjen në Valbonë. E vogël, por një koleksion bujtinash pritëse thotë media amerikane ku secila prej tyre shërben ushqim tradicional.
“Dita e tretë është pika kulmore e udhëtimit në të gjithë kuptimin e fjalës vijon artikulli teksa sugjeron pikërisht eksplorimin e Valbonës dhe Thethit. Një ecje sfiduese por që nuk duhet humbur për shkak të bukurive që këto dy atraksione ofrojnë për turistët.
Eksplorimi i parkut të Thethit nuk duhet humbur nënvizon Lonely Planet, për të vijuar me një shëtitje që të çon në ujëvarën mbresëlënëse të Grunasit ku shumë pak mund t’i rezistojnë edhe një zhytjeje në të. Nuk harron pa rekomanduar Syrin e Kaltër në Theth, me ujëra të kaltra e ushqyer nga një ujëvarë e vogël e rrëmbyeshme.
Aventura sugjerohet të mbyllet me kthimin po në Shkodër me një darkë me ushqime të shkëlqyera, nga aty ku sugjerohet pikërisht edhe nisja e këtij itinerari për Alpet e Shqipërisë.


