Ekspertja: Turizmi s’e ka ende peshën e duhur në buxhetin e shtetit, qeveria të formalizojë sektorin

schedule14:45 - 18 Gusht, 2023

schedule 14:45 - 18 Gusht, 2023

Tatimi mbi fitimin është një nga taksat që ka siguruar më shumë para për buxhetin e shtetit në 7 muaj. Efekti kryesor e ka dhënë mbledhja e taksës së jashtëzakonshme mbi prodhuesit e energjisë, të ardhura këto që do të përdoren për t’u ardhur në ndihmë kategorive të ndryshme përfshirë edhe pensionistët.

Ekspertja e ekonomisë, Teuta Nunaj Kortoçi theksoi në “Sheshi i Dollarit” se në rritjen e të ardhurave kanë ndikuar dy faktorë. Së pari, fakti se ekonomia rajonale dhe botërore është drejt stabilizimit, gjë që ndikon edhe në stabilitetin e ekonomisë shqiptare. E dyta, lidhet me të ardhurat personale.

Sa ka ndikuar kursi i këmbimit në ecurinë e të ardhurave?

“Nëse neve flasim për çmime stabël, do të thotë se ke më të parashikueshme të ardhurat e tua. Ky cmim stabël stabilizon edhe kërkesë ofertën. Kjo reflektohet në të ardhurat publike për vaktin se çdo mall përkthehet edhe në një TVSH plus. Sa më shumë rritet konsumi, aq më shumë në këtë rast qeveria do të përfitojë të ardhura për buxhetin e shtetit pasio vetë taksa e TVSH është më të rëndësishmet dhe që mbush buxhetin e shtetit. Në një situatë e tillë është e parashikueshme që të kemi një rritje të të ardhurave. Kur flasim për kursin e këmbimit dhe stabilitetin e çmimeve, na reflektohet dretpërdrejt në ekonomi për nivelin e lartë të importeve. Në aspektin e bilancit tregtar, ulja e eksporteve si pasojë e kursit të këmbimit, e ka dëmtuar dhe zhbalancuar më tepër raportin import eksport. Në këtë rast, në ekonominë shqiptare, kjo reflektohet në stabilitetin e ekonomisë dhe në vazhdimin e vjeljes së të ardhurave publike.“, theksoi ekspertja.

E pyetur se ku do të duhet të investohet për të pasur një rritje ekonomike më të qëndrueshme, ajo tha se është e rëndësishme që të merren parasysh shtresat në nevojë si pensionistët dhe personat me aftësi të kufizuara si edhe investimet në infrastrukturë por edhe në nxitjen e bizneseve të reja.

“Ekonomia, që të kalojë në një ekonomi të zhvilluar, ka nevojë te investimet në infrastrukturë por edhe për nxitjen e bizneseve të reja që të krijojnë vendeve të reja të punës. Rritja e të ardhurave personale do të çojë në rritjen e mirëqenies se popullatës ndaj në këto raste rekomandohet që qeveria të shlyejë borxhet me interesa të larta dhe e dyta injektimi në atë sektor, si bujqësia, për ta mbështetur.“, shtoi ajo.

Ndërkaq, ajo u ndal edhe tek performanca pozitive e turizmit dhe ndikimi që do të ketë në ekonominë e vendit.

“Turizmi është sektor i rëndësishëm, akoma nuk e ka peshën në produktin e brendshëm bruto dhe në buxhet ashtu siç duhet ta kishte. Nëse neve kemi një turizëm të zhvilluar, domethënë që vetë ky sektor do të vërë në punë edhe sektorë të tjerë. Duhet të rritet bujqësia që të plotësojë të gjitha kërkesat për produkte ushqimore por njëkohësisht themeltare është kualifikimi i burimeve njerëzore. Nëse e kemi më të lehtë tashmë për ta thithur turistin e huaj, punën më e madhe është që ta sjellim.

Gjykoj se përmes institucioneve publike, të cilat duhet të bashkërendojnë strategjitë e tyre së bashku me sektorin privat. Flasim për arsimin që duhet të përgatisë individë të formuar në turizëm si menaxheri dhe profesionistë që tek kuzhinieri, banakieri etj. Dhe funksionimi midis ministrive do të bëjë që këta individë të fuqizohen. e dyta lidhet me infrastrukturën që tek rrugët, akomodimi dhe e treta është formalizimi i këtij sektori. Nëse kemi një numër të kufizuar shtretërish, atëherë që qeveria të rrisë këto të ardhura duhet ta formalizojë më tepër sektorin.”, tha mes të tjerash ekspertja./abcnews.al