Ekspertja e sigurisë, Juxhina Sotiri, ka analizuar zhvillimet e fundit në konfliktin mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, duke paralajmëruar se përplasja mes dy vendeve mund të zgjasë dhe të marrë përmasa të reja.
Në një intervistë për emisionin “War Report” në ABC News, Sotiri u shpreh se konflikti ka hyrë në një fazë të zgjatur, ndërsa theksoi se Irani ka në dispozicion një mjet presioni më të fuqishëm sesa programi i tij bërthamor.
“Jemi në muajin e pestë dhe të dyja këto vende kanë hyrë në një konflikt të përhershëm. Mendoj se mund të jetë një konflikt i zgjatur. U kuptua se Irani nuk kishte nevojë vetëm për programin bërthamor si mjet kërcënimi, por ka edhe një levë shumë më të rëndësishme, siç është Ngushtica e Hormuzit, e cila duket se është një instrument i fuqishëm në duart e Teheranit,” tha ajo.
Sotiri u ndal edhe te dimensioni politik i konfliktit, duke theksuar se zhvillimet e luftës ndikojnë drejtpërdrejt në komunikimin dhe mbështetjen elektorale të liderëve politikë.
“Trump ka nevojë të ndërtojë një narrativë të re dhe të ndryshojë komunikimin me elektoratin e tij. Po ashtu, e njëjta gjë vlen edhe për Benjamin Netanyahun, pasi rritja e pëlqyeshmërisë ndaj tij ka ecur paralelisht me zgjatjen e luftës. Kemi të bëjmë me dy dinamika kontradiktore që ndikojnë edhe në zhvillimin e konfliktit,” u shpreh ekspertja.
/abcnews.al/



