Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Ledion Krisafi, deklaroi se një marrëveshje mes ish-presidentit amerikan Donald Trump dhe regjimit iranian do të ishte shumë e vështirë për t’u arritur, duke argumentuar se Teherani mbetet një partner kompleks në negociata.
Në një intervistë në emisionin “War Report” në ABC News, Krisafi u shpreh se, pavarësisht përpjekjeve dhe presionit ndërkombëtar ndaj Iranit, edhe Shtetet e Bashkuara përballen me kufizime në raport me regjimin iranian.
“E kam të vështirë të mendoj nëse Trump mund të arrijë një marrëveshje me regjimin iranian. Ky është një regjim me të cilin është shumë e vështirë të arrihet një marrëveshje. Pavarësisht se Irani është dënuar apo është vënë nën presion, edhe amerikanët ndodhen në njëfarë disavantazhi,” tha ai.
Duke komentuar zhvillimet ushtarake në rajon, Krisafi u ndal edhe te përdorimi i armëve dhe teknologjisë në konfliktet e fundit.
Sipas tij, ushtritë po përpiqen të përshtaten me sistemet e mbrojtjes kundër dronëve, ndërsa për goditjen e objektivave strategjikë janë përdorur kryesisht raketa balistike.
“Në përgjithësi po mundohen të përshtaten me sistemin e kapjes së dronëve. Një pjesë e madhe e bazave amerikane janë goditur me raketa balistike. Dronët përdoren më shumë për të goditur rafineritë e naftës, ndërsa për bazat amerikane janë përdorur raketa balistike. Suksesi më i madh i iranianëve gjatë javëve të fundit kanë qenë koordinatat që kanë ardhur nga rusët,” u shpreh Krisafi.
/abcnews.al/



