Eksperti i arsimit në “Byro Politike”: Mësimi online jo-efektiv, provimet e maturës duhej të ishin shtyrë

schedule22:58 - 29 Prill, 2020

schedule 22:58 - 29 Prill, 2020

Në një intervistë në studion e “Byro Politike”, eksperti i arsimit Fatmir Vejsiu, ka folur rreth ndikimit që pati mbyllja e shkollave në menaxhimin e situatës së koronavirusit në vendin tonë.

Vejsiu është shprehur se mbyllja e menjëhershme e shkollave ishte vendim i marrë në kohën e duhur pasi kushtet në shkollat e vendit tonë, mund ta kishin përkeqësuar situatën.

Sipas tij, ndërprerja e mësimit do të ndikojë për keq më shumë për maturantët pasi pjesa tjetër e nxënësve mund të rikuperohen gjatë vitit tjetër.

Fatmir Vejsiu shpjegon:

“Maturantët janë më të ndjeshmit, do të përballen me kërkesa të reja për të marrë një drejtim të ri. Pjesa tjetër ka mundësi rikuperimi në vitin e ardhshëm shkollor. Ndërprerja ndikon keq tek nxënësit. Unë s’kam qenë shumë optimist për hapjen e shkollave, nëse shohim edhe se çfarë po ndodh në botë. Ka të infektuar tek ne dhe kjo është një progresion gjeometrik, mjekët thonë që rritet shumë shpejt numri i të infektuarve. Kemi të bëjmë me një agresivitet. Mbyllja bën punën e vet pozitive. E para punë që u mbyll këtu te ne ishin shkollat dhe u bë shumë mirë. Sepse klasat janë me shumë nxënës dhe janë shumë të vogla kemi një popullim të madh të klasave. Kjo bëri punë të mirë.”

Ndërsa, sa përket mësimit online, eksperti i arsimit u shpreh, se sipas tij, nuk ka qenë efektiv. Dhe, këtë e tregon sipas tij fakti që pjesa e mësimit që është bërë online nuk do të përfshihet në provimet e maturës.

Fatmir Vejsiu: Po të jap një argument, sa ishte fiktiv, janë bërë shumë regjistrime dhe pastaj u tha që maturantëve nuk do u jepet në provim pjesa e bërë online. Pra s’ka qene efektiv. Të thotë titullari i ministrisë që do përpiqemi t’u ngremë notën, testet do jenë shumë të lehta, do favorizojmë nxënësit, mundësia për të fituar bingo është e madhe.

Ndërsa, sa i përket kthimit në shkollë të mësuesve për përgatitjet e maturantëve, Vejsiu u shpreh se nuk ka detaje si do të bëhet mësimi apo sa do të zgjasë dhe si do të shkojë mësuesit në vendet e punës kur i kanë larg.

Fatmir Vejsiu: Nuk e dimë si do bëhet mësimi, sa do zgjasë, nuk e dimë si do lëvizë mësuesi që e ka shpinë në Kombinat dhe e jep mësimi tek Bajram Curri. Duhet të jenë marrë të gjitha masat.

Fatmir Vejsiu vë gjithashtu në dukje se maturantëve u është bërë një dëm i madh pasi nuk kanë mundur që të marrin aftësitë bazë në lëndë si matematika apo fizika e kimia në këtë pjesë të vitit. Kjo sipas tij, do u krijojë mangësi kur të nisin arsimin e lartë.

Fatmir Vejsiu: Në vitin e fundit u ra kjo mynxyrë dhe nuk bën dot as derivatet, as vargjet, integralin dhe pjesën tjetër nuk e njeh fare. Pra aty mbaron gjithçka. Do shkojë në shkollën e lartë, një nxënës që ka lënë përgjysmë matematikën, fizikën, kiminë… Unë kam shprehur diku një mendim, viti shkollor ka një fillim, por mbarimi statistikat i merr në shtator kur fillon viti pasardhës. Pse duhej nxitur që nxënësit t’i bëhen tani provimet, t’i shtynin pa afat. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!