Eksperti për çështjet ndërkombëtare, Emiljo Çika thotë se tensionet mes Kosovës dhe Serbisë ndikojnë edhe në vendet e tjera të rajonit.
Në emisionin “Sheshi i Dollarit” në ABC News, Çika u shpreh se duhet të ketë më shumë bashkëpunim ekonomik mes vendeve në rajon dhe sipas tij, në rastin e Kosovës dhe Serbisë, kjo mund të realizohet edhe përmes presioneve, për uljen e tensioneve.
“Ndoshta një tension, apo ndoshta një konflikt e ktheu vëmendjen dhe rikthimin e Procesit të Berlinit kundrejt vendeve të Ballkanit Perëndimor, dhe këtu i referohem luftës në Ukrainë. Ky është, besoj një nga motivet e BE për t’iu rikthyer këtij procesi. I gjithë Procesi i Berlinit, niset nga ajo që janë politikat e ulëta, për të kaluar dalëngadalë duke kaluar në ato që njihen si politikat e larta. Është një nga objektivat e këtij procesi, tranzicioni nga politikat e ulëta, drejt politikave të larta, duke shkuar drejt BE. Si do jenë proceset e integrimit të 6 vendeve në momentin e tensioneve që eksiztojnë? Tensioni kryesor është mes Kosovës dhe Serbisë, sigurisht që afektohen edhe vendet e tjera, si Shqipëria, Mali i Zi, Bosnje dhe Hercegovina, të cilat janë të lidhura ngushtësisht me politikën e jashtme të Serbisë.
E vetmja mënyrë që besoj se do ketë një zgjidhje, një bashkëpunim ekonomik edhe më shumë. Kjo nuk mund të vijë për fat të keq në rastin e Kosovës dhe Serbisë, vetëm nga bashkëpunimi i palëve, por edhe nga presioni i palëve”, theksoi ai./abcnews.al