Ekspertët: Plani ekonomik i Lulzim Bashës i paqartë

schedule15:43 - 29 Janar, 2021

schedule 15:43 - 29 Janar, 2021

Nga Erblina Mile

Programi  ekonomik i opozitës  duhet të jetë më i detajuar  dhe më i qartë sesi do të arrijë objektivat. Profesor në Universitetin e Tiranës Sherif Bundo vlerëson nismat për ulje sigurimesh dhe rritje të pensioneve por ngre pikëpyetje në lidhje me të ardhurat që duhet të mblidhen në buxhet.

“Si do ta mbushësh buxhetin, ndërkohë që kërkon të ulësh shkallën tatimore, kërkon të ulësh kontributin e  sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore? Kërkon të rrisësh ndihmën sociale, kërkon të mbështesësh dhe kjo është një nga më të bukura të një programi, të inkurajojnë të rinjtë për të krijuar biznese, por ndërkohë unë pyes këto kosto si do përballohen?”, thotë ai.

Eduart Gjokutaj ekspert fiskal pranë ALTAX thekson se në thelb ky program është elektoral dhe i përsëritur.

“Këto premtime që janë në përsëritje në tipin e tyre, ndërkohë është një temë e kaluar dhe kam bindjen time personale se nuk është mekanizmi i taksimit ajo që bën diferencën”, sqaron ai.

Ndërkohë që ndër problemet kryesore të financave shqiptare mbetet niveli i borxhit publik që ka arritur në 80 %.Por në programin e demokratëve ka munguar një adresim i këtij problemi. Sherif Bundo sugjeron një plan të qartë për menaxhimin.

“Borxhi publik nuk pritet që të jetë në ato parametra që deklaron qeveria. Opozita nuk e ka të qartë se cili do të jetë stacioni i fundit i nivelit të borxhit publik dhe ata nuk mund të parashikojnë një shifër të saktë. Por nga ana tjetër ata duhet të prenoncohen cili do të jetë vizioni i tyre lidhur me kontrollin e borxhit publik”, shpjegon ai.

Gjokutaj thekson se problem për ekonominë shqiptare mbetet edhe fakti që  borxhi i marrë  nga qeveritë nuk përdoret për të investuar.

“Borxhi është marrë por nuk ka shkuar i gjithë në investime dhe pjesa tjetër për të kënaqur objektiva personale”, thotë Gjokutaj.

Disa nga pikat kryesore të programit të PD-së janë   rikthimi i taksës së sheshtë 9%.ulja e sigurimeve shoqërore,rritje e pensioneve me 5%,110 mijë vende të reja pune dhe rritje e pagës minimale në 36 mijë lekë. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!