Ekspertët: Më të rrezikuara nga tërmetet janë zonat ranore

schedule23:13 - 17 Gusht, 2018

schedule 23:13 - 17 Gusht, 2018

Shqipëria bënë pjesë te vendet me aktivitet të lartë sizmik. Ditët e fundit janë shënuar lëkundje të mëdha, por edhe dëmtime në banesa. Sipas pedagoges dhe ekspertes në fushën e inxhinierisë dhe gjeoteknikës, Luljeta Bozo, ndërtimet në Shqipëri, paraqesin aktualisht problematika të shumta duke nisur që nga ligji me të cilin po punohet, që është hartuar në vitin 1989.

Pas viteve `90 në vendin tonë lulëzuan pallatet shumëkatëshe për të cilat ekspertët e kanë të vështirë të thonë nëse janë të sigurta, pasi edhe baza ligjore mungon. Ndërkohë që më të riskuara janë godinat e ndërtuara në vitet 63-`75 pasi edhe teknologjia e ndjekur nuk ishte shumë e përparuar.

 “Ne kemi një kod të `89 i parashikuar për ndërtesa 6-7 kate. Kërcyem direkt në katet 10-15 dhe 20 kate. Nuk e dimë si reagojnë këto objekte. U kam frikën ndërtimeve në zonën ranore në Durrës. Ato nëse ndodh një tërmet mund të rrezikojnë dhe të zhyten”.

Profesore Luljeta Bozo, thekson se objektet e ndërtimit kanë një jetëgjatësi të përcaktuar, përfshi edhe ndërtimet beton-arme.

Duke e lidhur edhe me tragjedinë e ndodhur në Xhenova,  sipas profesores Bozo, për  të gjitha objektet që kanë një rëndësi të veçantë duhet të bëhet kontroll, pasi asnjë objekt nuk shembet pa dhënë shenja paraprake.

“Ura në Xhenova kishte dhënë shenja që kishte problem. Asnjë objekt nuk shembet pa dhënë shenjat e para. Por duhen ekspert që të bëjnë kontrollin dhe të shikojnë se sa është degradimi. Ndaj nëse edhe në dikasteret tona ka problem, ka çarje apo dëmtime duhet që ekspertët të shikojnë dhe të bëjnë analizimin e duhur. Sot ka mundësi të bëhen kontrolle, studime dhe analiza sepse shkenca ka përparuar”.

Klan Plus

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!