Ekspertët: Heshtja e Kinës për balonën spiune mund të rrisë më tej tensionet

schedule08:03 - 10 Shkurt, 2023

schedule 08:03 - 10 Shkurt, 2023

Zemërimi mbi vendimin e Kinës për të shkelur hapësirën ajrore të dhjetëra vendeve, duke mbledhur informacione përmes një flote balonash vëzhgimi ka rritur shqetësimet në Uashington në lidhje me sjelljet e Pekinit. Këto veprime të Kinës mund të nxisin reagime më të forta në incidentet e ardhshme.

Në Pentagon, në veçanti, zyrtarë të lartë amerikanë të mbrojtjes paralajmërojnë se refuzimi i ushtrisë kineze për të komunikuar pas rrëzimit të balonës spiune nga Shtetet e Bashkuara është, në një farë mënyre, më alarmues se vetë veprimi i spiunazhit.

“Kjo është vërtet e rrezikshme”, u tha ligjvënësve të enjten Ndihmës Sekretari i Mbrojtjes për Çështjet e Sigurisë në rajonin e Indo-Paqësorit, Ely Ratner.

“Ne vazhdojmë të jemi të hapur për bisedime”, shtoi ai. “Për fat të keq, deri më sot, Ushtria Çlirimtare Popullore (e Kinës) nuk po i përgjigjet thirrjeve tona.”

Shqetësimi në Pentagon ka qenë në rritje në muajt e fundit, nga Sekretari i Mbrojtjes deri tek zyrtarë të nivelit më të ulët, të cilët janë shprehur gjithnjë e më të gatshëm për të diskutuar ngurrimin e përsëritur të homologëve të tyre kinezë për të mbajtur hapur linjat e komunikimit që mund të përdoren në raste krizash.

Nevoja e komunikimit mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës

Muajin e kaluar, burimet diplomatike amerikane thanë se Kina refuzoi të përdorte linjën e shmangies së konfliktit pas një veprimi të pasigurt ajror të avionëve kinezë ndaj atyre amerikanë mbi Detin e Kinës Jugore që kishte ndodhur një muaj më parë.

Dhe një takim nëntorin e kaluar mes Sekretarit amerikan të Mbrojtjes Lloyd Austin dhe ministrit kinez të Mbrojtjes Wei Fenghe, gjatë një takimi të zyrtarëve aziatikë të mbrojtjes në Kamboxhia, gjithashtu nuk arriti të bind ushtrinë kineze që të krijojë kanale komunikimi për raste emergjencash.

“Gjatë disa muajve të fundit, ushtria kineze ka vazhduar të shohë marrëdhëniet me ushtrinë tonë si diçka që ata e ndezin dhe e fikin për të shprehur pakënaqësinë me gjërat e tjera që po ndodhin”, tha zoti Ratner para anëtarëve të Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë.

“Ne duhet të komunikojmë përparësitë tona. Ushtritë tona duhet të kenë biseda serioze rreth çështjeve strategjike”, tha ai. “Kjo vazhdon të jetë një çështje problematike.”

Zyrtarët amerikanë të mbrojtjes kanë thënë se partnerët dhe aleatët e Amerikës janë gjithashtu gjithnjë e më të zemëruar me refuzimin e Pekinit për të gjetur mënyra komunikimi gjatë krizave të mundshme. Edhe vendet e tjera të rajonit kanë shprehur të njëjtin shqetësim.

“Pika kyçe lidhur me këtë është se vendet duhet të veprojnë me përgjegjësi”, u tha gazetarëve të mërkurën zëdhënësi i Pentagonit, gjeneral brigade Patrick Ryder, kur u pyet për çështjet e komunikimit.

“Ne kemi qenë gjithmonë dhe do të mbetemi të hapur ndaj komunikimit në përpjekje për të shmangur incidentet”, tha ai, duke shtuar, “Ne do të vazhdojmë t’i mbajmë linjat e komunikimit të hapura”.

Zyrtarë dhe ish-zyrtarë amerikanë vënë në dukje se refuzimi i Kinës për të komunikuar bie ndesh me sjelljet e fuqive të tjera të mëdha, të cilat, pavarësisht konfliktit dhe tensioneve, kanë rënë dakord të vendosin linja të posaçme komunikimi për shmangien e konfliktit, të paktën për të shkëmbyer mesazhe.

“Në administratën e mëparshme dhe në këtë administratë, Sekretari i Shtetit mund të flasë në telefon me homologun e tij rus në çdo kohë”, i tha Zërit të Amerikës ish-i dërguari i posaçëm amerikan për Sirinë, Joel Rayburn.

“Kjo mundësi për të folur me njëri-tjetrin ka ekzistuar gjithmonë për ushtrinë, përfaqësuesit e lartë ushtarakë, përfaqësuesit ushtarakë me uniformë”, tha Rayburn, i cili tani tani është ekspert për çështje ndërkombëtare në organizatën Amerika e Re në Uashington.

“Kjo ishte jashtëzakonisht e dobishme në kohët kur kishte tensione ose kishte vija të kuqe të dukshme të mundshme dhe mund të jepeshin paralajmërime, mesazhe për ulje të tensioneve ose sqarime të qëllimeve.”

Linjat e shmangies së konfliktit mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë

Shtetet e Bashkuara dhe Rusia kanë përdorur të paktën dy linja të veçanta të shmangies së konfliktit gjatë dekadës së fundit.

E para, i krijuar në tetor të vitit 2015, synonte fillimisht të parandalonte konfliktin ose përplasjet mes avionëve rusë dhe amerikanë që vepronin në hapësirën ajrore të Sirisë.

Dhe pavarësisht nga disa problemeve të vogla, zyrtarët amerikanë të mbrojtjes thanë se linja e shmangies së konfliktit me Rusinë për Sirinë vazhdoi të ishte në funksion deri në qershor të vitit të kaluar.

Shtetet e Bashkuara dhe Rusia krijuan një linjë të dytë të shmangies së konfliktit në Mars të vitit 2022 pas fillimit të agresionit rus në Ukrainë, megjithëse Pentagoni nuk e ka përdorur atë shpesh.

Refuzimi i krijimit të një linje të tillë komunikimi nga ushtria kineze që nga koha e administratës së ish-presidentit Trump është një veprim i papërgjegjshëm, thotë zoti Rayburn. “Kjo ndoshta nënkupton se kinezët nuk do të dëshironin një kanal komunikimi për të parandaluar përshkallëzimin e situatave taktike. Kjo nuk është një gjë e mirë.”

Ish-zyrtarë të tjerë amerikanë e shohin refuzimin e ushtrisë kineze për të vendosur linja të shmangies së konfliktit me Pentagonin më shumë si një funksion të mënyrës se si funksionon ushtria kineze sesa një qëllim keqdashës.

“Mendoj se ata po e bëjnë këtë sepse nuk kanë një mekanizëm të mire brenda qeverisë së tyre për të shkëmbyer informacione mes departamenteve të ndryshme brenda saj”, thotë John Schaus, ekspert për çështjet e Kinës në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.

Por rritja e numrit të incidenteve dhe ashpërsisë së tyre mund ta deyrojë ushtrinë kineze të ndryshojë stilin e saj të komunikimit ose të përballet me pasojat e një përshkallëzimi të paqëllimshëm.

“Shpresoj që situate aktuale shërbejë si një mësim për udhëheqjen në Kinë”, thotë eksperti amerikan Schaus për pasojat nga rrëzimi i balonës kineze nga Shtetet e Bashkuara.

“Nëse do të ishim në një krizë shumë më intensive, situata do të mund të ishte shumë e rrezikshme”, tha ai./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!