Ekspertët e UEFA-s: Po monitorojmë ndërhyrje nga palët e treta në procesin zgjedhor të FSHF-së

schedule16:53 - 15 Shkurt, 2022

schedule 16:53 - 15 Shkurt, 2022

Ekspertët e UEFA-s vijojnë punën për monitorimin e ndërhyrjeve nga palë të treta dhe mbledhjen e informacioneve në lidhje me incidentet e fundit në proceset zgjedhore të shoqatave anëtare të FSHF-së në prag të Asamblesë së Përgjithshme Zgjedhor të 2 marsit. Delegacioni i përbërë nga Luca Nicola (Shef i qeverisjes së federatave anëtare në UEFA), Luka Zajc (Shefi i Çështjeve Korporative) dhe Yann Hafner (Ekspert i çështjeve statutore dhe rregulloreve) po njihet me zhvillimet e fundit, problematikat dhe incidentet e shkaktuara nga ndërhyrja e palëve të treta.

Luca Nicola, shefi i qeverisjes së federatave anëtare të UEFA dhe një prej anëtarëve të delegacionit ka shpjeguar për Fshf.org edhe objektivin e këtij misioni, teksa thekson se po vlerësojnë seriozisht rastet e ndikimeve të papërshtatshme të palëve të treta në procesin zgjedhor të FSHF-së.

“Së pari, për të shpjeguar kontekstin e misionit tonë, ne kemi ardhur në vijim të vizitës së fundit të Presidentit të UEFA-s në Shqipëri, ku ai u takua me Kryeministrin e Shqipërisë si dhe me Presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit. Ne mbërritëm të hënën dhe objektivi i misionit tonë është të vlerësojë procesin zgjedhor të FSHF-së si edhe Asamblenë e Përgjithshme të Zakonshme Zgjedhore të planifikuar për t’u zhvilluar më 2 mars 2022.

Gjithashtu, ky mision përfshin edhe vlerësimin e rasteve të mundshme të ndikimit të papërshtatshëm nga palët e treta në procesin zgjedhor. Sapo misioni ynë të përmbyllë vizitën, do të përgatisim një raport për drejtuesit e UEFA-s dhe bazuar në këto gjetje ne do t’i komunikojmë FSHF-së qëndrimin e UEFA-s”, – deklaroi Luca Nicola./h.ll/abcnews.al