Yuri Kim letër Ramës, Bashës e Kryemadhit: Mbani përgjegjësi për pastërtinë e kandidatëve

schedule12:10 - 1 Shtator, 2020

schedule 12:10 - 1 Shtator, 2020

Në prag të nisjes së përgatitjeve për zgjedhjet e ardhshme parlamentare ambasadorja e SHBA në Shqipëri Yuri Kim i ka nisur një letër krerëve të partive politike Edi Rama, Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi.

Në letrën që abcnews.al disponon, Kim i kërkon krerëve të partive politike të mbajnë përgjegjësi për pastërtinë e figurës së kandidatëve të ardhshëm për deputetë.

Ajo inkurajon të gjithë partitë të kontrollojnë kandidatët dhe të përzgjedhin vetëm ata që janë të kualifikuar dhe respektojnë votuesit shqiptarë.

Sipas Kim kryetarët e partive politike duhet të sigurohen për integritetin e kandidatëve, ndërsa kujton se ligji i dekriminalizimit përcakton se individët me rekorde kriminale nuk mund të kandidohen.

Kim thekson se SHBA do të vazhdojë të luftojë korrupsionin dhe do të jetë përkrah atyre që luftojnë zyrtarët e korruptuar.

“Më 22 korrik ne nënvizuam publikisht se udhëheqësit e partisë janë përgjegjës për kandidatët që garojnë nën logon e partisë.  Ndërsa partia juaj përgatitet për fushatën zgjedhore, ju si udhëheqës i partisë, duhet të siguroni pajtueshmërinë me ligjin shqiptar.

Ne inkurajojmë të gjitha partitë politike të bëjnë veting për kandidatët dhe të kandidojmë vetëm ata që janë të kualifikuar dhe respektojnë votuesit shqiptarë.
Ndërsa individi është përgjegjës të deklarojnë historinë e tyre kriminale, udhëheqësit e partive duhet të sigurojnë integritetin dhe vërtetësinë e deklaratave të atyre që kërkojnë funksione nën siglën e tyre.

Ligji i Dekriminalizimit përcakton se personat e dënuar, të ndjekur penalisht ose me rekorde penale në Shqipëri ose jashtë, nuk kanë të drejtë të emërohen në poste publike, d.m.th. të zgjedhur nga qytetarët, ose të emëruar në poste brenda administratës publike, ose institucioneve të përcaktuara në Kushtetutë ose akte të tjera ligjore.

Çdo falsifikim ose mosdeklarim mund të përbëjë një vepër penale që i nënshtrohet dënimit sipas legjislacionit penal. Në përputhje me Ligjin e Dekriminalizimit, disa deputetë dhe kryetarë të bashkive ose kanë dhënë dorëheqjen ose janë shkarkuar, dhe të tjerët janë hetuar.
Siç e dini, Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për të luftuar korrupsionin dhe qëndrojnë me këdo që kërkon të ndalojë zyrtarët e korruptuar të veprojnë në mënyrë të paligjshme dhe pa u ndëshkuar.

Ne do të vazhdojmë të përcaktojmë individë të përfshirë në korrupsion të rëndësishëm sipas nenit 7031 (c) gjatë afishimit vjetor. Ju mund të luani një rol në këto përpjekje duke i mbajtur këta individë të njohur, të korruptuar jashtë listës suaj të partisë.
Shtetet e Bashkuara e vlerësojnë Shqipërinë si një mik, partner dhe aleat të NATO-s.

Ne gjithashtu mbështesim fuqimisht aspiratën e Shqipërisë për t’u bashkuar me BE. Ne mbështesim dëshirën e popullit shqiptar për qeverisje të mirë nga përfaqësuesit e tij në parlament, në përputhje me dëshirën e tij për një demokraci më të mirë, udhëheqës më të mirë dhe një të ardhme më të mirë. Sinqerisht, Yuri Kim Ambasador, thuhet në letrën e Yuri Kim./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!