EKSKLUZIVE/ Vrasja e 25-vjeçarit në Vlorë, i riu u qëllua në makinën e kushërirës, policia i dha lajmin

schedule17:21 - 23 Gusht, 2021

schedule 17:21 - 23 Gusht, 2021

Nga Elton Nikaj

Automjeti tip “Fiat Punto” ku u gjet i pajetë Xhuljano Bullari në Babicë të Vlorës i përket kushërirës së tij. ABC ka arritur të mësojë ekskluzivisht ai e merrte shpesh automjetin e saj për të udhëtuar. Në momentin e verifikimit, policia ka kontaktuar me vajzën që kishte në pronësi automjetin.

Ajo më pas ka njoftuar dhe familjarët se në makinën e saj është gjetur i pajetë një i ri pa mjet identifikimi. Kur prindërit e të riut shkuan në Vlorë, e ëma e identifikoi në morg.

Deri më tani për vrasjen e Xhuljano Bullarit nuk ka asnjë të arrestuar apo të dyshuar. Grupi hetimor nuk ka mundur të zbulojë asnjë të dhënë që ta orientojë drejt personit që mund ta ketë qëlluar edhe pse në pyetje janë marrë disa persona. Ndërsa pistat e hetimit mbeten, vrasje për motive të dobëta dhe përfshirje në trafikim të narkotikëve.

Xhuljano Bullari ditën e premte rreth orës 18 kishte dalë nga banesa e tij në Babrru të Tiranës. Familjes i tha se do konsumonte një kafe. Ndaj nuk dihet se kur, pse dhe me kë ishte nisur për në Vlorë. Policia dyshon se është vrarë nga ndonjë i njohur, që do ketë qenë në makinë me të. 25 vjeçari me origjinë nga Elbasani por banues në Tiranë u qëllua me tre plumba pistolete, por vetëm një e kapi në kokë.

Bullari kishte dalë nga burgu pak muaj më parë. Ishte arrestuar në vitin 2018 në Fier për akuzën “Dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit” të shtetasve sirianë. m.v/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!